Kallas: 50 mijë të rinj shqiptarë të përfshirë në shkëmbimet ndërkombëtare, anëtarësimi në BE sjell edhe më shumë përfitime

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas u shpreh sot gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe ambasadorë të rinj evropianë nga “Shtëpia e Evropës” në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato, se BE do të thotë liri, stabilitet, paqe dhe siguri.
Sipas Kallas, Shqipëria e ka kuptuar rëndësinë e integrimit në familjen evropiane qysh kur nisën protestat e para për liri të studentëve shqiptarë në 1990, me sloganin “E duam Shqipërinë, si gjithë Evropa”.
“Studentët e Shqipërisë janë të njohur për faktin që kanë sjellë ndryshimin në vitin 1990 kur unë isha e vogël dhe ende jetoja në një vend që ishte nën pushtimin sovjetik. Protestat paqësore që ndodhën këtu në Shqipëri ishin frymëzuese për ne. Atëherë, studentët nuk kërkonin ndonjë gjë të madhe, thjesht kushte më të mira në konvikt, drita, ujë. Por, pas tre ditësh frika e shtypjes u zëvendësua nga liria e fjalës, nga reforma politike dhe nga dëshira për të marrë fund diktatura komuniste”, tha Kallas.
“Dëshira për liri është një dëshirë aq e fortë e natyrës njerëzore. Është kjo dëshirë që bëri që dy milion persona në 1989 të kapeshin dorë për dore dhe të krijonin një zinxhir lirie 690 kilometra të gjatë nga Talini e deri në Vilnus dhe gjithë kryeqytetet e vendeve baltike. Natyrisht, asgjë nuk është e paevitueshme për lirinë, sepse pushtimi rus i Ukrainës ka theksuar se sa shumë mund të bëjë një shtet për t’i mohuar tjetrit lirinë. Qindra mijëra vetë janë vrarë, ndërkohë që janë depërtuar fëmijë ukrainas, janë shkatërruar shkolla, janë sulmuar spitale e klinika, pra Rusia po shkatërron të tashmen e Ukrainës, ndërkohë që i mohon Ukrainës lirinë dhe të ardhmen”, pohoi ajo.
Zyrtarja e lartë e BE-së u ndal edhe të historiku i gjenocidit dhe luftërave në Ballkanin Perëndimor ndër vite, ndërsa tha se këtë korrik do të kujtohet 30-vjetori i gjenocidit më të rëndë që ka parë kontinenti evropian në historinë moderne. “Të gjithë duhet të jemi vigjilentë sepse qeniet njerëzore kanë kapacitet për masakra kundër njëri-tjetrit, atëherë si mund të mbrojmë lirinë përpara se të jetë tepër vonë? Lea Ypi në librin e saj me titull “Të lirë” shkruan se liria jo vetëm sakrifikohet kur të tjerët na thonë çfarë të themi apo çfarë të bëjmë, por për qytetarët evropianë ne kemi krijuar hapësirën për të lulëzuar. Nuk ka dyshim se pse studentë shqiptarë në vitin 1990 përdorën sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, cilësoi Kallas.
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian tha gjatë fjalës së saj se BE-ja është liri, stabilitet, siguri, begati, vlerë për demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit etj. “Shqipëria ka parë tashmë se çfarë ofron BE-ja si planin e rritjes, paketën për energjinë, asistencën para anëtarësimit si edhe mbështetjen për Forcat e Armatosura”.
“Më shumë se 50 mijë të rinj shqiptarë kanë qenë të përfshirë në shkëmbime ndërkombëtare gjatë këtij 10-vjeçari, por anëtarësimi në BE dhe fillimi i negociatave sjellë edhe më shumë përfitime. Ballkani Perëndimor ka pritur shumë kohë për t’u bërë pjesë e BE-së. Njerëzit në vendet kandidate nga fshati në qytet duhet të ndjejnë të mirat që sjellin reformat në BE sepse të jesh anëtar i BE-së ka të bëjë jo vetëm me lirinë nga shtypja, por edhe me lirinë për të zgjedhur”, theksoi Kallas. /j.p/