Kallas në Kosovë, kryediplomatja e BE viziton edhe Serbinë e Maqedoninë e Veriut

Shërbimi Diplomatik i Bashkimit Evropian bëri me dije se Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, viziton këtë javë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë, Kallas, do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile,” thuhet në një njoftim të BE-së.
Në Prishtinë, znj. Kallas pritet të vizitojë Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe do të takohet me komandantin e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Kryediplomatja e BE-së shkon në Kosovë ndërkohë që autoritetet e këtij vendi kërkojnë heqjen e masave të Bashkimit Europian, por edhe pas kritikave të Brukselit për aksionet e fundit në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në Beograd, përfaqësuesja e lartë evropiane pritet të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe përfaqësues të qeverisë e opozitës.
Ndërkaq, kryediplomatja evropiane në Shkup pritet të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski bëri të ditur Brukseli.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/