E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon kufirin me Malin e Zi, e plagosin

Një shtetas shqiptar është plagosur nga ushtarët malazezë në territorin e këtij vendi pasi kishte hyrë ilegalisht atje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.45 në malin e Hotit, i cili është i përbashkët për shtetin shqiptar dhe atë malazez.

Gëzim Drekaj nga Hoti ka qenë në territorin malazez , rreth 100m në thellësi të tij dhe mësohet se ka dashur të kalojë në pjesën shqiptare por jo nga pika e kalimit kufitar por nga ana e malit , në mënyrë ilegale. Nga të dhënat e para mësohet se ushtarët malazezë e kanë pikasur 30-vjeçarin që po lëvizte në kufirin e gjelbërt dhe i kanë bërë thirrje për tu ndaluar.

Drekaj nuk e ka bërë këtë, por ka vrapuar të hynte në pjesën shqiptare, por është qëlluar nga rojet kufitare malazeze dhe është plagosur duke marrë një plumb në këmbë. Atij i është dhënë ndihma e parë dhe është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nuk dihet akoma përse  i dëmtuari nuk i është ndaluar urdhërit të ushtarëve malazezë, ndërsa nga të afërm të tij pohohet se ai kishte kaluar në pjesën malazeze për të marrë bagëtitë që gjatë kullotjes kishin kaluar atje.

Por ky version nuk pohohet nga policia, ndërsa efektivë të dy palëve po zhvillojnë hetime lidhur me ngjarjen. Efektivat malazezë të ruajtjes së kufirit e kanë të lejuar përdorimin e armëve të zjarrit kur shkelësit nuk u ndalohen. / Anila Dushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›