E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalorësi Xhaferr Lami fiton kupën "Akademia e Hipizmit"

Kupën "Akademia e Hipizmit" 2010 në aneksin e stadiumit "Qemal Stafa" e fitoi kalorësi Xhaferr Lami në vendin e parë, në vendin e dytë gjermani Oliver Garrez dhe në vendin e tretë kalorësi Leonard Berziu. Federata Shqiptare e Sporteve me Kuaj zhvilloi në formë spektakli për publikun garën e parë në tre etapa ndërmjet katër ekipeve Akademia 1, Akademia 2 , Klubi Panta Mullet dhe Vllaznia. Në fillim të garës drejtuesit nderuan me një minutë heshtje ish Presidentin e Nderit zotin Ali Ohri të ndarë më parë nga jeta dhe përfaqësuar denjësisht nga i biri sportisti Izet Ohri. Presidenti i federatës së sporteve me kuaj zoti Edmond Hali vlerësoi se gara e në disa përmasa është edhe një ftesë e hapur për kryeqytetasit në motivimin e fundjavës së tyre.
E veçanta e garës ishte dhe pjesëmarrja e të riut nga Shkodra, kalorësit sportiv Arjon Kajoshi që ndonëse me disa penalitete dhe diferencë të ndjeshme moshe me garuesit e tjerë profesionistë arriti të mbajë pezullt vëmendjen e publikut.
Gara për kupën "Akademia e Hipizmit" vijoi në etapën e tretë me rritjen e lartësive, reduktimin e pengesave dhe matjen e kohës. Prania e shumë kryeqytetasve spektatorë në këtë ngjarje sa sportive aq edhe argëtuese për shikuesit e pasuroi me entuziazëm garën për fituesin e Kupës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›