Kalvari i karro-atrecit
Po të parkosh makinën në darkë në Tiranë, në vendin e gabuar, gjasat janë që të mos e gjesh në vendin ku e ke parkuar — një karro-atrec i policisë ta ka marrë nga vendi ku e ke parkuar. Bën kuptim — ke parkuar në një vend ku nuk duhet të parkosh! Po pse nuk ndodh kjo gjatë ditës, kur parkimi në vendin e palejuar pengon trafikun?!
Shkojmë më tej. Makinën nuk e gjen ku e ke parkuar, por nuk ka asnjë informacion zyrtar se ku mund ta gjesh makinën tënde - në tabelën që ndalon parkimin atje ku ke parkuar, nuk është shënuar një numër telefoni ku mund të marrësh informacion. Pyet ndonjë dyqanxhi aty rrotull dhe ai të thotë që të shkosh një herë në një vend diku tek unaza e re, pas një benzinate Taçi Oil. Ti shkon atje dhe, pasi ke vozitur në një rrugicë të gjatë, plot gropa me ujë, përballesh me faktin se makina jote nuk ndodhet në atë vend. Si ka mundësi? – pyet. Këtu janë makinat që ka ngritur policia rrugore - makinën tënde mund ta ketë ngritur policia bashkiake, të përgjigjen, dhe të thonë të shkosh tek ish-uzina Enver.
Atje janë zyrat e policisë bashkiake dhe makinën e gjen në oborr. Futesh brenda dhe bëhesh gati të paguash gjobën për të marrë makinën. Por kalvari ska mbaruar. Gjobën 30000-lekëshe duhet ta paguash në Bashki e pastaj të kthehesh përsëri për të paguar 40 mijë lekë për karro-atrecin. Në përfundim të procesit, pasi ke harxhuar nja tre orë duke u sorollatur, e merr të shkretën makinë…
Në përgjithësi, dhënësi i parave mundohet tia vështirësojë pagesën marrësit të tyre, por ai që do të marrë para, gjithnjë, ia bën sa më të lehtë pagesën dhënësit të tyre. Pse sndodh kjo e fundit në Tiranë?!
respublica.al
http://respublica.al/artikuj/2012/2/5/koment-i-shkurter-kalvari-i-karro-atrecit
