E Diel, 1 Nëntor 2026

Kam njohur njerëz që dominojnë rrethanat

Luljeta Lleshanaku

Elsa Demo

Poet Evropian i Lirisë është Durs Grünbein. Çmimi u dha në ceremoninë e të shtunës në mbrëmje që u mbajt në Wybrzeze Theatre në qytetin polak Gdansk. Ky është edicioni i dytë i konkursit Poeti Evropian i Lirisë, dhe zhvillohet një herë në dy vjet. Çmimin për edicionin e parë, e ka fituar poeti bjellorus, Uadzimier Aro.

Durs Grünbein e tërhoqi personalisht çmimin nga presidenti i jurisë prof. Krzysztof Pomian dhe kryetari i Bashkisë së Gdanskut, Pawel Adamowicz (themelues i çmimit).

Ai është fitues me vëllimin poetik Mizantropi në Kapri, një nga tetë librat (të gjithë të përkthyer në gjuhën polake) që mbërriti në finalen e çmimit ku edhe Shqipëria pati përfaqësuesen e vet: Luljeta Lleshanaku.

Mizantropi në Kapri është një dialog me antikitetin, një metodë për të zbërthyer përvojën vetjake në ndërrim të shekujve 20-21.

Durs Grünbein është ndër poetët e fundit të Gjermanisë Lindore. Ai e mbërriti suksesin përpara bashkimit të Gjermanive me botimin e librit Grauzone morgens më 1988. Është fitues i çmimit prestigjioz Georg Büchner në moshën 33-vjeçare. Në dekadën e fundit ai është bërë një nga poetët gjermanë më me ndikim. Boton vazhdimisht poezi, ese, meditime. Vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë, por Amerika është vendi ku ka gjetur më shumë jehonë.

Grünbein cilësohet poet kozmopolitan, poezia e të cilit ka një origjinë në gjuhën e trupit që synon ta përfshijë lexuesin në një nivel somatik. Shpesh ai i referohet mitit dhe historisë dhe bën përpjekje për tiu qasur çështjeve të ndryshme duke lëvruar forma të ndryshme poetike. Ka përkthyer në gjuhën gjermane autorë antikë si Eskili apo Seneka.

Ndërsa Luljeta Lleshanaku me librin Dzieci natury (Fëmijët e natyrës) çoi poezinë shqipe deri në finalen e Poetit Evropian të Lirisë. Libri është hedhur në qarkullim në gjuhën polake në vjeshtë 2011. Përkthyesja e librit është Dorota Horodyska, e cila ka përkthyer edhe më parë vepra të tjera nga letërsia shqipe, kryesisht në prozë. Libri i Lleshanakut u botua në kuadër në konkursit Poeti evropian i lirisë.

Fëmijët e natyrës, në origjinal, është botuar në vitin 2006. Ai është përkthyer dhe botuar edhe në anglisht nga shtëpia botuese Neë Directions, në SHBA, është përfshirë në përmbledhjen Haywire and new poems, botuar në Londër nga shtëpia botuese Bloodax shtatorin që shkoi, si edhe është përkthyer në gjermanisht dhe botuar nga shtëpia botuese Edicion Correspondenzen, në Vjenë, në vitin 2010. Ky është botimi i katërt, në gjuhë të tjera.

Më 21 Mars, City Culture Institute në Gdansk zhvilloi një mëngjes për shtyp, me poetët e nominuar për çmim. Disa nga autorët e jurisë, folën për qëllimin dhe rëndësinë e këtij çmimi dhe vlerësuan librat e poetët e nominuar për çmimin: Tozan Alkan (Turqi), Kristin Berget (Norvegji), Pablo Casado (Spanjë), Durs Grünbein (Gjermani), Petr Halmay (Republika Çeke), Ryszard Krynicki (Poloni), Luljeta Lleshanaku (Shqipëri), Serhij Zhadan (Ukrainë.)

Në këtë ditë, në Fickja café u zhvillua prezantimi i Luljeta Lleshanakut dhe përkthyeses së saj Dorota Horodyska, i moderuar nga poetja polake Kryztyna Chëin. Takimi u zhvillua në formën e një interviste publike, të shoqëruar me lexime të disa poezive në polonisht dhe shqip. Ndër të tjera, Luljeta Lleshanaku dha një shpjegim mbi mënyrën se si vjen edhe koncepti i lirisë në librin Fëmijët e natyrës: Ashtu siç është komentuar edhe më parë, ky libër përcjell një lloj vitaliteti të njerëzve që dominojnë mbi rrethanat, dhe që arrijnë të krijojnë identitetin e tyre, duke u përballur me këto rrethana. Ne e njohim mirë këtë situatë; për shumë prej prindërve tanë, kuptimi i ekzistencës vinte nga përballja me regjimin, si një formë e mbijetesës morale. Libri shtron çështjen e lirisë në një këndvështrim filozofik: a është liria e barabartë me mundësitë e zgjedhjes? Zhan Pol Sartri, diku thotë që francezët kanë qenë më të lirë se kurrë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kishin vetëm dy zgjedhje për të bërë: ose të bashkëpunonin me pushtuesin, ose jo, dhe të vuanin pasojat. Në epokën që jetojmë, sidomos vendet postdiktatoriale, duke i njohur të dy sistemet, vihen pikërisht përballë kësaj pyetjeje kritike. Dhe në përgjithësi libri, ofron atmosferën e filozofisë ekzistencialiste dhe versionit të saj mbi lirinë.

Lleshanaku e quan këtë libër gjithashtu një përpjekje për të memorizuar një copë nga realiteti i saj i fëmijërisë, përmes gjërave të thjeshta, që e bëjnë të papërsëritshme jetën e gjithkujt sidomos në rrethanat e izolimit gjeografik dhe politik. Ata janë njerëz që përpiqen të fshehin dobësinë e tyre, që të gjitha shpresat i kanë varur tek një brez i dytë, që edukojnë krenarinë deri në vanitet, si e vetmja formë për mos tiu dorëzuar krejtësisht fatit kolektiv. Duke folur për njërën nga poezitë, Ata nxitojnë të vdesin, autorja komentoi elementin e privatësisë dhe fateve kolektive, ose fëmijët e epokës siç i quan ajo, si diferencat midis dy sistemeve politike.

Luljeta duket mjaft e kënaqur nga bashkëpunimi i saj me përkthyesen e librit, Dorota Horodyska: Është një përkthyese mjaft inteligjente dhe njohëse shumë e mirë e teknikave letrare. Ajo e kap në ajër idenë, dhe kurrë, asnjëherë nuk ka përcjellë një varg mekanikisht pa përvetësuar fillimisht thelbin e tij. Kam shumë besim në punën e saj, dhe raporti i mirëbesimit është shumë i rëndësishëm në marrëdhënien autor-përkthyes.

Po çfarë është Çmimi letrar Poeti Evropian i Lirisë mbajtur në Gdansk nga 19 marsi deri më 25 Mars? Ideja e kësaj ngjarjeje dhe e këtij çmimi, është të nderojë dhe promovojë fenomene në poezi, të cilat kanë të bëjnë me një nga çështjet kyçe për lexuesin bashkëkohor, lirinë, dhe që në të njëjtën kohë, janë vepra të cilat karakterizohen nga vlera të dallueshme artistike. Konkursi organizohet nga qyteti i Gdanskut dhe është njëra nga iniciativat që shoqëron kandidaturën e këtij qyteti për titullin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës 2016.

Juria e konkursit përbëhej nga kritikë arti, filozofë, regjisorë, dramaturgë, prozatorë dhe përkthyes, pra që nuk janë doemos ekspertë të poezisë, por nga artistë të mëdhenj dhe intelektualë që e gjykojnë poezinë me ndjeshmërinë e tyre.

Përkthyesja Dorota Horosyska mbi poezinë e Luljeta Lleshankut:

Për mua ishte hera e parë që merresha me poezi. Autorja ishte e hapur për konsultime dhe më ka shpjeguar botën e vet. Në poezinë e Luljetës kam gjetur botën femërore në kohën e komunizmit. Të përshkruash përvojën e persekutimit në poezi është e vështirë. Ka një cikël aty, E hëna në shtatë ditë ku zbulohet me një stil nervoz dhe me mjeshtëri kjo botë. Libri i Luljetës dallohet nga librat e tjerë në konkurrim, të poetëve nga Turqia, Gjermania, Ukraina, Polonia etj., sepse është një libër konkret që jep përgjigje për temën e konkursit Poeti Evropian i Lirisë. Për një norvegjeze liria është të jesh lesbiane. Edhe kjo liri është, por për mua janë të pakrahasueshme, janë dy dimensione krejt të ndryshme të lirisë njerëzore. Jam e lumtur që një poete shqiptare u botua, që do të vërehet, do të lexohet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›