E Diel, 1 Nëntor 2026

Kam parë se si rrëmbyen një vajzë

Nga Mustafa Nano

Ora 8 e ca. Teksa po dilja nga shtëpia për të bërë ritualin e leximit të gazetave, më panë sytë një skenë rrëqethëse, një nga ato skena që zakonisht ne i marrim për fictione hollywood-iane, e prandaj nuk i besojmë se mund të ndodhin në jetën reale. Isha në kryqëzimin e rrugës që kalon para qendrës Kristal me rrugën që të nxjerr poshtë te Komuna e Parisit. Isha në makinë, me dritaren e krahut tim të hapur, dhe krejt papritur dëgjoj britmën e një vajze. Për një moment e humba. U tremba. Aty rrotull kish njerëz, kalimtarë, sehirxhinj, të tjerë që gjerbnin kafe në bar-et buzë rrugëve, makina, dhe britma vijonte të dëgjohej nga të gjithë. Po kërkoja me sy, e nuk po shihja gjë, ndonëse britma më vinte nga fare afër. Dhe fillimisht nuk e kuptoja pse më vinte në vesh si një britmë lëvizëse, por duke ndjekur sytë e të tjerëve të kapur nga paniku, arrita të shoh atë që sdo kisha dashur ta shihja. Vajza ulërinte nga një makinë që po ecte në drejtim të klubit sportiv Dinamo. Kish hapur derën e përparme të krahut të djathtë, atë të pasagjerit dhe donte të hidhej, por me sa duket ishte shtrënguar fort nga duart e atij që donte ta mbante me dhunë në makinë. Kish veshur një fustan në ngjyrë të zezë, me cërka të bardha. E pashë tek bënte çmos tu shpëtonte duarve të grabitësit, donte të hidhej, e nuk mundte. Ulërinte, e unë nuk isha i sigurt nëse në ato çaste lusja që vajza tu shpëtonte duarve kriminale, dhe të hidhej poshtë duke rrezikuar seriozisht jetën (makina po ecte me shpejtësi, ndoshta me 40 km/orë), apo tu bindej urdhrave nga brenda, të hiqte dorë nga tentativa për tu hedhur, me shpresën se rrëmbyesi mund të vinte dorën në zemër e në një moment mund ta linte të ikte në punën e saj, të palënduar.

Por kjo pamje më iku nga sytë shumë shpejt. Pashë derën e makinës që u mbyll, dhe kuptova se e kishin tërhequr më në fund brenda. U përpoqa të shihja targën, por nuk shqova më shumë se dy germat e para kapitale AA. Makina më ngjau si Benz. Ish në ngjyrë të zezë. Instinktivisht bëra ta ndiqja nga pas për të marrë vesh më shumë se sa kaq, por ajo ndërkohë fluturoi atje ku rruga kthehet e merr në drejtim të Tiranës së Re, përgjatë kompleksit Dinamo. U ndjeva krejt i pafuqishëm. Nuk isha ndodhur asnjëherë në rrethana të tilla. Sdija çtë bëja, e për këtë ndihesha kotmëkot fajtor. Ajo makinë rravgonte nëpër Tiranë, tanimë, duke lënë pas një bosh të madh brenda meje, pamjen e topitur të shumë njerëzve, një polic që bënte roje tek porta e një banke e që mu duk se po bënte çmos të fiksonte detaje të ngjarjes, dhe një grua që nuk dihej se kujt i thosh: Bëni diçka, e rrëmbyen vajzën!

Përpiqesha të rindërtoja ngjarjen e të përfytyroja atë që kish ngjarë, dhe i vetmi version që më vinte në mendje ishte një projekt përdhunimi, dhe më ngjethej mishi. Ishte vajzë e re. Sdukej të kish më shumë se 22 a 23 vjeç. Sa e pambrojtur ishte! E vetme, në mëshirë të ca duarve që e tërhiqnin dhunshëm brenda një makine, ku ajo skish hipur me dëshirë e ku ajo sdonte të rrinte, e ndjekur nga sytë e gjindjes që skish fuqi ta ndihmonte. Ish hera e parë në jetën time që mendova ndyrësisht, se sa mirë që nuk kam bërë një vajzë.

Mua ky vend ma shpif në të shumtën e kohës, por kurrë si dje në mëngjes, rreth orës 8:00 e pak, nuk kisha menduar se ky është vendi më i gabuar ku njeriu mund të lindë. Nuk dija çtë bëja. Dhe sbëra asgjë. Nuk i thashë askujt mbi atë që më panë sytë. Nuk e di pse nuk i thashë askujt. Nuk dija kujt ti thoja e pse tia thoja. Të gjithë janë njësoj të pafuqishëm në të tilla raste. Më shkoi mendja të takoj ndonjë polic, por së pari nuk kisha asnjë informacion për ti dhënë, dhe së dyti unë nuk u zë besë policëve shqiptarë, të cilët më sillen në kokë më shumë si prishës e sa si ruajtës të rendit (i keni parasysh policët e trafikut me bllok gjobash në dorë? Ata e kanë mendjen të gjobisin qytetarët e pambrojtur për kundërvajtje banale, dhe su shkon fare në mendje të ndalin këto makina me targa të huaja, brenda të cilave ka potenciaisht delinkuentë gjithfarësoji). Lutesha në vetmi, që ata banditë tmos e lëndonin atë vajzë, por kjo nuk ma hiqte një si ndjenjë faji që unë smund të bëja diçka.

Pasi erdha vërdallë disa minuta, i dhashë karar punës të vijoja me ritualin. U ula në një lokal buzë rrugës (është po ajo rrugë, ku disa minuta më parë kish kaluar makina që mbante brenda vajzën e rrëmbyer), porosita një kafe, dhe u vura të shfletoja gazetat. Fillova me Mapo-n. Nuk mund të përqendrohesha. Për më tepër, dukej se gjithçka synonte të më kallte trishtim në shpirt në mëngjesin e djeshëm. Artur Zheji kish bërë një shkrim me titull The Day After, dhe disa fraza të shkrimit më silleshin si fshikuj. Fraza nr. 1: Lul Basha u kumtoi adhuronjësve të vet dhe tiranasve odet e gëzimit e nënvizimin e angazhimeve të tij. Fraza nr. 2: Nga kabineti Berisha u largua Basha, të cilin Kryeministri e përdorte si në futbollin holandez, nga ministria në ministri në vartësi të emergjencës dhe objektivave. Fraza nr. 3: Shëndetësia vazhdon të lëngojë, pavarësisht një ministri të kujdesshëm si Petrit Vasili. Fraza nr. 4: Gjithkush e di mirë tashmë se është ai [Sali Berisha] pushtetmbajtësi dhe garanti i fitores më të fundit dhe asaj të radhës. Fraza nr. 5: Rifutja e opozitës në Kuvend në vjeshtën që afron, do ta rindezë debatin në Kuvend, duke i ngrënë mjaft kohë nga detyrat ekzekutive Kryeministrit.

I lashë gazetat. Pagova shpejt e shpejt, i hipa makinës, dhe e mbajta frymën tek polici i Bankës Emporiki, i cili do duhej të dinte diçka më shumë se unë rreth ngjarjes. Nuk pashë gjë, më tha, dhe vura re, për çudinë time, se interesimi im nuk e kapi në befasi. Çdo ditë ky avaz është këtu, shtoi me një ton të butë e të qetë, mú sikur të ish duke më thënë se nuk pinte më shumë se dy ekspresë në ditë. Më saktësoi një detaj, sidoqoftë. Makina që mua më ish dukur si Benz kish qenë një Volkswagen i tipit Jetta. Por çmë duhet ky detaj? Kujt tia jap?

Ora është 14:33. 12 korrik 2011. Çti kenë bërë, vallë, asaj vajze?

Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›