LSI: Prokuroria, e lidhur me krimin dhe mafien
LSI ka vazhduar sulmet sërish gjatë ditës së sotme ndaj organit të akuzës. Sipas sekretarit të kësaj partie, Luan Rama, individë të prokurorisë janë të lidhur me krimin dhe me mafien. Për këtë arsye, ai tha se prokuroria duhet të reformohet.
Organi i akuzës duhet të reformohet dhe kjo është detyrë e Kuvendit. Prokuroria në shumë raste ka bërë shkelje proceduriale, ka paraqitur prova të manipuluara dhe për këtë arsye ka nevojë për tu reformuar. Për mos të thënë pastaj që individë të caktuar në prokurori janë të lidhur me krimin dhe kanë interesa mafioze, ka thënë Luan Rama gjatë një deklarate për shtyp.
Sulmet e këtij të fundit vijnë vetëm një ditë pas atyre të Ilir Metës, që tha se prokuroria është bërë si Sigurimi i Shtetit.
Luan Rama kërkoi gjithashtu nga opozita që mos të merret me llafe boshe dhe demagogji, por të ndikojë për reformën zgjedhore.
Duhet të bëhet reforma zgjedhore në mënyrë urgjente. Ne sensibilizohemi me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Volfarth, që bëri thirrje për të kryer reformën zgjedhore. Opozita duhet të japë kontribut për reformën zgjedhore, si kusht i domosdoshëm për integrimin në BE. Opozita duhet të kontribuojë për integrimin dhe të mos merret me llafe boshe dhe demagogji, u shpreh Luan Rama.