E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamera trupi për të gjithë inspektorët, kryeinspektori Sula: Pjesë e reformës, rrisin transparencën

Inspektimet në terren pritet të marrin një dimension të ri përmes përdorimit të teknologjisë. Brenda vitit të ardhshëm, të gjithë inspektorët në vend do të pajisen me kamera trupi inteligjente. Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, tha në Gjirokastër se kjo është pjesë e reformës për modernizimin e sistemit të inspektimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e rasteve të abuzimit gjatë kontrolleve.

“Ka ardhur momenti që për gjithë trupin e inspektimit të Republikës së Shqipërisë, për të gjitha inspektoratet qendrore dhe inspektoratet rajonale, deri tek inspektori i fundit, brenda një periudhe që mendoj maksimumi mund të jetë tetë deri në nëntë muaj, por shpresojmë edhe më shpejt – çdo inspektor i trupës së inspektimit në Republikën e Shqipërisë, në të gjitha inspektoratet, do të pajiset me kamera trupi smart.” – u shpreh Dashnor Sula, Kryeinspektor i Përgjithshëm.

Në kuadër të kësaj reforme, vëmendje i është kushtuar edhe platformës sigurt.gov.al, ku qytetarët mund të raportojnë raste abuzimi, shkeljesh apo problematikash gjatë marrjes së shërbimeve.

“Inspektoriati i Përgjithshëm ka lançuar dy platforma të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme përsa i përket sinjalizimit. Këto platforma u japin mundësinë si subjekteve, ashtu edhe qytetarëve, që kur konstatojnë parregullsi, kur konstatojnë shkelje, kur konstatojnë gjëra të paligjshme apo inspektorë të cilët abuzojnë, të reagojnë menjëherë. Me anë të portalit sigurt.gov.al, ata kanë mundësinë të bëjnë sinjalizimin e tyre në mënyrë të sigurt, të dokumentuar dhe të verifikueshme, duke garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri në çdo rast.”

Kryeinspektori Sula bëri të ditur se siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit do të mbeten në fokus të kontrolleve gjatë sezonit veror në qarkun e Gjirokastrës. Ai tha se do të intensifikohen inspektimet në subjektet ushqimore, për të garantuar produkte të sigurta dhe cilësore për qytetarët e turistët, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe respektimit të standardeve mjedisore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›