E Diel, 1 Nëntor 2026

Parku automobilistik i Shqipërisë kalon 1 milion mjete, më shumë se gjysma e mjeteve të prodhuara para vitit 2010, dominon nafta, por makinat elektrike shënojnë rritje rekord

Shqipëria ka mbyllur vitin 2025 me më shumë se 1.04 milionë mjete rrugore të regjistruara, duke shënuar një zgjerim të dukshëm prej 9,3% krahasuar me vitin paraprak. Raporti më i fundit i Institutit të Statistikave (INSTAT), i bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), zbulon se autoveturat vazhdojnë të mbeten mjeti kryesor i udhëtimit për shqiptarët, duke përbërë mbi 80% të totalit të inventarit në vend.

Së bashku me rritjen e nivelit të motorizimit në shkallë kombëtare — i cili ka arritur në 361 autovetura për çdo 1.000 banorë — të dhënat pasqyrojnë edhe hapat e parë të tranzicionit drejt mjeteve ekologjike.

Tiranë dhe Durrës, qendrat e motorizimit në vend

Shpërndarja gjeografike e mjeteve konfirmon përqendrimin më të lartë në zonat qendrore dhe ekonomikisht më të zhvilluara të vendit. Qarku i Tiranës mban peshën kryesore të parkut automobilistik, me mbi një të tretën e të gjitha mjeteve rrugore (34,7%), i ndjekur nga Durrësi me 13,6% dhe Fieri me 9,1%.

Megjithatë, vendin e parë për densitetin e mjeteve për frymë e mban Durrësi, i cili udhëheq me nivelin më të lartë të motorizimit në Shqipëri.

“Qarku i Durrësit ka nivelin më të lartë të motorizimit në vend, me 535 autovetura për 1.000 banorë.”, thuhet në raportin e INSTAT, “Statistikat e Karakteristikave të Mjeteve Rrugore 2025”.

Moshë e madhe teknologjike dhe dominim i naftës

Për sa i përket karakteristikave teknike, tregu shqiptar i makinave vazhdon të mbizotërohet nga mjetet e përdorura dhe karburantet tradicionale. Nafta mbetet lënda djegëse kryesore për 72,1% të autoveturave, ndërsa kambio manuale përbën 55,9% të totalit të mjeteve.

Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e parkut të mjeteve (55,3%) i përket periudhës së prodhimit 2000–2010, ndërsa autoveturat e moshës 11 deri në 20 vjeç përbëjnë 45,7% të totalit. Në garën e markave, preferencat e shqiptarëve mbeten pothuajse të ndara mes dy gjigandëve gjermanë: Volkswagen udhëheq tregun me 19,7%, i ndjekur nga afër prej Mercedes-Benz me 18,1%.

Pavarësisht moshës mesatare relativisht të lartë të mjeteve, viti 2025 ka shënuar një rritje mjaft dinamike në sektorin e makinave elektrike. Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, numri i autoveturave elektrike është rritur me 91,2% brenda një viti.

“Numri i autoveturave elektrike u rrit me 91,2 %, krahasuar me vitin 2024.”, thekson INSTAT.

Ky dyfishim i pronisë së mjeteve elektrike tregon një prirje të re drejt modernizimit të transportit rrugor, ndonëse ato ende përbëjnë një pjesë të vogël në krahasim me të gjithë inventarin kombëtar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›