E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamikazët e drejtësisë përballë vëllezërve Deda

Fatos Mahmutaj

Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës të vrarit më 21 janar, është dënuar nga Gjykata e Tiranës për shpifje, pasi akuzoi publikisht kryeministrin Sali Berisha, se i kishte dërguar njerëz në shtëpi me foton e vrasësit të vëllait. Kushti ishte që të pranonin Berishën në shtëpi. Më kot u mundua Berisha të blinte gjakun e dibranit fisnik Hekuran Deda duke trokitur ditën e mortit në shtëpinë e tij.

Madje jo ditën sipas traditës së mirë shqiptare, por natën si kusarët. Iu ofroi para në këmbim të vizitës, por mori përgjigje negative. Negociatat zgjatën gjithë natën në shtëpinë e familjes Deda, por nuk u arrit gjë. Atëherë Berisha luajti kartën e fundit: U ofroi foton e vrasësit në këmbim të vizitës së tij aty. Por edhe kjo u refuzua hapur, pasi familja Deda e kishte vendosur gishtin mbi vrasësin e vërtetë, duke akuzuar direkt Sali Berishën si urdhërues të ekzekutimit, fatkeqësisht kryeministër.

Publikimi i ngjarjes së pistë që ka strumbullar vetë Berishën, ia shtoi këtij të fundit dyfish turpin e dështimit, çka e detyroi të bënte poshtërsinë e radhës. U gjet ushtari i bindur, një gardist i rëndomtë, i quajtur Fatos Skeja, personi i cili bëri korrierin e kryeministrit në banesën e familjes Deda. Ky, ‘i cenuar rëndë’ në nder dhe personalitet, me porosi të atij të madhit paditi në gjykatë dhe kërkoi dëmshpërblim për baltën që iu hodh në momentin që realisht ndodhej i zhytur në llum.

Në raste të tilla, Berishës nuk i mungojnë edhe kamikazët në organet e drejtësisë, ku shpejt e shpejt u gjet një i tillë për ta mbaruar gjyqin e njeriut të tij me zell dhe në kohë rekord. Është e sigurt që Berisha do tia dalë ta dënojë Zabit Dedën në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Edhe Hilmi Deda, vëllai tjetër i të ndjerit Hekuran Deda, ndodhet në një proces gjyqësor paralel, i paditur nga i njëjti person me të njëjtin pretendim. Tek e fundit poshtërsitë e Berishës nuk kanë filluar me këto dhe nuk mbarojnë me kaq.

Tashmë Berisha ka nevojë për të pastruar imazhin. Gjykata e tij, jo vetëm që nuk ia rregulloi këtë, por duke u përpjekur ta bënte, e zhyti akoma më tepër në llumin ku ndodhet, dhe ku shqiptarët e ndërkombëtarët e shohin përditë, paçka se vetë ai të jep përshtypjen se beson haluçinacionet dhe histeritë e tij.

Bruksel, më 23 maj 2012

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›