E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e njoha Niko Agon

Dr. Vili Minarolli*

vminarolli@mfa.gov.al

I dashur Niko,

Të përshëndes dhe të falënderoj për shkrimin tënd. U ke treguar të gjithëve se mirënjohja është një cilësi e vyer e jona, si shqiptarë.
Jam krenar që të njoha dhe të falënderoj për bashkëpunimin. Ti je një gazetar i shkëlqyer, që di të fitosh zemrat e të tjerëve me mirësinë tënde, me sjelljen tënde dhe respektin për të tjerët. Prandaj e kishe derën e hapur kudo, tek politika greke, tek përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe tek komuniteti i shqiptarëve.

Ti më njohe me njerëzit e mrekullueshëm të Bashkisë së Anavisos, që kishin bërë aq shumë për bashkatdhetarët tanë. Unë e mbaj mend Stelën e vogël që kishte ardhur nga Shqipëria pothuaj krejt e paralizuar dhe ata njerëz të mirë e ngritën në këmbë, pas gati tre vjetësh operacionesh shume të kushtueshme.

Unë mbaj mend kur shkuam të dy në takimin me gratë e Anavisos që kishin përgatitur mbi 200 pako për fëmijët e fondacionit të Znj. Liri Berisha.
Unë mbaj mend se me këta njerëz të mrekullueshëm, ti mundësove të sillje me rastin e Ditës tonë Kombëtare një klasë me mbi 30 nxënës nga Kalivaçi i Tepelenës.

Por, i dashur mik, ti bëje një punë të madhe për të bashkuar shqiptarët dhe për ti ndihmuar. Ti bëje shumë për miqësinë e dy popujve tanë.
Me punën tënde na jepje vlera të gjithëve bashkatdhetarëve dhe unë ndjehesha krenar kur lexoja shkrimet dhe intervistat e tua në gazetat dhe revistat e Greqisë.
Të falënderoj për miqësinë tonë duke të uruar mbarësi ty dhe familjes tënde.
*Ish-ambasador i Shqipërisë në Greqi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›