Kampionati i varkave me vela, “Verve” fiton vendin e parë

Ka përfunduar me sukses edicioni i sivjetshëm i kampionati të varkave me vela “Regata Brindisi“.
Një garë e ngarkuar me emocion, që për të katërtin vit me radhë e ka kthyer Vlorën në pikë takimi të sportit detar evropian.
Rreth 30 varka me vela, të nisura nga Brindisi, mbërritën në Portin e Orikumit pas një udhëtimi prej afro 12 orësh në det të hapur. Fitues i çmimit të parë u shpall varka “Verve”.
Kapitenët e ekipeve e përshkruan garën si sfiduese dhe mbresëlënëse, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në Vlorë.
“Lundrojmë bashkë prej shumë vitesh, të gjitha edicionet e kemi bërë këtë rrugë”, tha një ndër pjesëmarrësit.
“Është hera e parë dhe eksperienca ishte fantastike, ekuipazh jemi e gjithë familja dhe është shumë emocionuese”, u shpreh një tjetër garuse.
Vlora mirëpret këtë aktivitet prej katër vitesh, duke e kthyer në një traditë që promovon turizmin dhe e pozicionon qytetin si një destinacion elitar në Mesdhe.
/rtsh.al/