Kampionati shqiptar i koalicioneve të majta
Sherret dhe rivaliteti Nano-Rama brenda PS; hatërmbetjet e Koçit me Nanon dhe Ramën dhe idetë institucionale të tij, po brenda PS; piruetat “djathtiste” të Cekës dhe akuzat e Demetit në adresë të Ramës; qëndrimet “parimore demokraci-sociale” të Milos; idetë federaliste të Gjinushit; Lëvizja “Nano Eja”, quajtur ndryshe “Lëvizja e zotit Nano...” me tutor dhe mëkëmbës “dajën” Durim Lamaj; përplasjet konceptuale e rivalizuese Meta-Rama për drejtimin e së Majtës dhe së fundmi regjistrimi pasues në Gjykatë i koalicionit “E majta për Integrim”, ku kanë aderuar njëherësh dhe menjëherë PAD dhe PDS, janë produktet e “reaksioneve të vrullshme kimike” brenda opozitës, qysh prej zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007. Këto produkte politike nuk kanë institucionalizuar thjesht fraksionimin e së Majtës opozitare, por edhe listimin e njimendtë të formacioneve majtiste si dhe “kampionatin” zyrtar midis tyre, bash në prag të ngjizjes së Reformës zgjedhore, që do të kurorëzohet me Kodin e ri zgjedhor, me efekte para dhe paszgjedhore në raport me rreshtimet garuese politike të vitit 2009. “Nano të rrijë larg aksionit të ri politik të Lëvizjes Institucionale Socialiste. Ai zgjodhi braktisjen e Lëvizjes dhe kjo duhet respektuar, së pari, nga vetë Nano..., i cili bën mirë të mos ngatërrohet me këto nisma”, - deklaroi Petro Koçi, duke i flakur dorezën e sfidës shefit të kahershëm politik të tij. Për të shtuar më tej se ka ndërmend të bashkëpunojë me Ilir Metën në një kuadër që ai e koncepton si “institucional”, teksa tekstualisht u shpreh se “Tashmë që Ilir Meta është vendosur, ashtu si ne, kundër çiftit të rrezikshëm politik Rama-Berisha, është krijuar terreni për bashkëpunim mes nesh dhe LSI-së”. Por më kot Koçi mundohet të largojë nga “E majta për Integrim” nanoistët, teksa zëdhënësi i “azilantit politik” Fatos Nano, Ylli Dylgjeri , i cilësoi deklaratat e Koçit si “... tronditje psiqike të tij”. Më kot Koçi mundohet të privojë nga strehëza e re nanoistët dhe veçanërisht shqytarin e Nanos, Durim Lamajn, që deklaroi se, “Ne, si lëvizje e zotit Nano, por edhe një pjesë e elektoratit që na mbështet, jemi në përputhje të plotë me opsionet që shtron edhe zoti Meta në promemorien e tij. Madje, si pjesë e atyre deputetëve që e mbështesin zotin Nano, e ndiejmë më mirë veten shpirtërisht dhe moralisht tek ‘Lëvizja Meta’ sesa tek PS, e cila tashmë na ka bërë dalje”.
Çarja midis LSI, nga njëra anë, dhe PS e PSD nga ana tjetër e barrikadës majtiste, nuk mund të mos ndodhte sa kohë që Meta dhe të tijtë e kanë ndjerë veten të tradhtuar e të përdorur nga Rama e Gjinushi, në funksion të strategjisë së tyre për zgjedhjen me çdo kusht të Edvinit si kryebashkiak i Tiranës më 18 shkurt 2007, prej nga buron edhe fluksi qendror i fuqisë politike dhe financiare të Edvinit, si dhe përfitimet e thelave “ndërtimore” të Gjinushit, krahas mandatit të tij personal të garantuar nga “listat e mbyllura”. Gjithashtu Meta e di mirë se sistemi spanjoll rajonal do të përdorej nga Edvini për asgjësimin politik të LSI, ngaqë edhe vetë Meta në Qarkun e Beratit, pavarësisht 8 mijë e kusur votave që do të merrte në Skrapar, nuk do të mundej të bëhej deputet. E jo më të dilnin të tjerë deputetë të LSI në qarqet e tjera të vendit, teksa nominalisht do të merrnin shumë më pak sesa gjysma e vetë kryetarit Meta. Ndaj edhe Meta deklaroi qartë pas negociatave bipartizane PD-PS, se “Ne po denoncojmë një humbje të sigurt të së majtës në zgjedhjet e ardhshme...”, dhe këtu kishte parasysh katastrofën e LSI të programuar nga Prof. Gjinushi dhe çiraku i tij Rama. Sipas Metës, Rama ka humbur ngjyrimin politik në funksion të pushteteve dhe politikave të përfitimeve personale e partiake, teksa ka ndërmend të llupë e rrufisë në favor të PS dhre PSD afro 110 mijë votat e LSI me anë të sistemit spanjoll, ndaj edhe e ftoi kryesocialistin publikisht në një sfidë të hapur në një studio televizive, ku kishte ndërmend t’i nxirrte bojën, por dhe ku njëkohëisht e akuzoi atë me cilësimin se “Rama nuk është, as i majtë, as i djathtë...”, thënë shkurt e cilësoi hermafrodit politik.
Por Meta e shprehu qartë ngazëllimin për mbështetjen që ka fituar në kampin e majtë Lëvizja politike “E majta për integrim” dhe padyshim që do të ngurrojë të përplaset edhe me Koçin, nëse ia do puna, ngaqë Petrua nuk i duron nanoistët në këtë koalicion të ri, për shkak të alergjisë ndaj bishtdredhjes së Nanos, dyshimeve për sinqeritetin e Durimëve dhe nanoistëve, nervozizmit pas etiketimit të Dylgjerit, etj.. Thënë ndryshe, Meta e ndjen veten strumbullar dhe nuk ka ndërmend të dëgjojë sherret dhe hatërmbetjet e Petros të cilit i ka mbetur sahati tek “katharsis-i” që sot nuk i lipset askujt, sa kohë që Edvini është blozë nga ky krah dhe përpos “tradhtisë” nuk ia vlen t’i përmendësh tjetër akuzë, pasi kjo i mban të gjitha... Megjithatë Meta si strumbullari, ideatori dhe lideri i padiskutueshëm i këtij koalicioni të ri majtist synon minimalisht ta kryqëzojë dhe shkatërrojë Federatën PS-PSD të Gjinush-Ramës, aq më tepër që për këtë ka edhe ndihmën nga brenda kryesisë së PS të Ben Blushit, i cili na ka bërë me dije se nuk ka ndërmend ta lejojë shoferin e autobusit të bëjë si të dojë, ndonëse ka do hesape të vjetra me Ilirin, për çka mendon se mund të kapërcehen, tashmë që Gjinushi ka përcaktuar itinerarin rrugor të autobusit.
Por ndryshe nga Blushi, Erion Braçe, që është ku e ku më inatçi dhe idhnak ndaj Ilirit, jo vetëm që nuk është kundër sistemit zgjedhor spanjoll, por mendon se mund të realizohet më lehtë skartimi i LSI me anë të braktisjes së saj bash në metronë e stacionit të “trenit modern tepër të shpejtë”. Atij “treni” ku si mashinist të dytë pas Edvinit nënkupton vetveten, dhe ku si “stacion” metaforik ku do të mbetet pa hipur në “tren”, nënkupton Qarkun e Beratit, ku ka ndikim të konsiderueshëm, të cilin do të mundohet ta shndërrojë në sukses të eleminimit të Metës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.
Por pikërisht pas deklarimit të Metës se “Ne s’kemi dalë të mbledhim deputetë, por nuk përjashtojmë deputetë, kryetarë bashkish, komunash, etj., pasi njerëzit duam të vijnë me bindje tek ky koalicion...”, dhe shtimit me shpejtësi të radhëve dhe ndikimit të tij politik në kampin opozitar, Rama dhe Gjinushi u tubuan kokë më kokë për të gjetur një rrugëzgjidhje efikase të krizës politike të disociimit të opozitës, por edhe për të institucionalizuar Federatën e Majtë, si koalicion që mund të reduktojë firot e radhëve dhe subjekteve politike. Tashmë deklaratat e luftës brenda llojit janë bërë gati bashkë me muskujt dhe skemat e përplasjes në kampionatin majtist ku mendohet dhe synohet të prishet hierarkia e paravendosur e binomit federalist PS-PSD, përballë formacionit shpresëdhënës “E majta për Integrim”, ku do të thyejnë kokën Rama dhe Gjinushi, e ku priten therorizimet e radhëve të para të konkurrentëve dhe gladiatorëve të betejave “brenda llojit”.
Nga Astrit KOLA