Kamzë & Bathore, ku ligji ende bëhet si qëmoti

Flamuj elektoralë në Kamëz
Votonin nga dy, tre deri në katër vetë dhe të gjithë të ngatërruar me njëri-tjetrin. Njerëz që kinse nuk dinë të lexojnë, po kinse të tjerë që nuk shikojnë ose janë të pamundur. Por të gjithë në ngut. Shqipëria e imazheve të huaja është realisht ajo e cila mund të shikohet në këto hapësira, ku rregulli është vërtetë anarki. Të vetmit, më të paqmit, kanë mbetur fshatarët tiranas, ata që u liruan tokat dhe i pranuan në gjirin e tyre patriotët e tyre periferikë kaq mosmirënjohës…
Nga: Ben Andoni, MAPO
Askurrë më parë Kamza nuk ka qenë ndonjëherë e marrë në konsideratë për zgjedhjet. Tek e fundit, aty, votimi ka qenë dhe duket se mbetet më shumë çështje historike sesa administrative. Në Kamëz, Bathore drejtimi ka vetëm një kah. Kundër socialistëve. Dhe, në thellësinë e vetëdijes së tyre kanë të drejtë. Kanë lënë vende të paurbanizuara për të ardhur afër bashit të vendit ose vetëm nëntë kilometra nga Tirana…
Këtë herë ndodhi ndryshe. Një kandidat i pavarur, që u mbështet nga Socialistët, bëri gati të pamundurën për të fituar. Ai vendosi me forcë edhe pse u kundërshtua posterat e tij, shpërndau flamujt e PS-së kudo, por më shumë akoma guxoi të sfidojë hapur përfaqësuesin e PD-së dhe kryetarin aktual Mziu. Ky i fundit me marramendje të mëdha sepse vetëm pak orë para zgjedhjeve, një nga periodikët më të lexuar në Shqipëri, i nxori deri numrin e tij të celularit, në ekranin e një nëpunëse, që mëtonte se ishte e ngacmuar prej tij. Aj, janë komunistët e fëlliqt, më thotë një djalë veshur me kostum shumë të pastër por pak si demode, në Bathore. Ata i bajnë të tana. Në këtë kohë të ngarkuar, jo vetëm si mjaftoi si argument kandidatit kundërshtar, por më shumë akoma kaloi pa u vënë re. Tek e fundit në Shqipëri gjërat sbëjnë më përshtypje. Ashtu si u harrua Ilir Meta, para tij Ylli Pango etj., etj. Nuk e di sesa e vërtetë është por me saktësi di se gazeta e asaj dite u zhduk në gjithë Tiranën. Kjo ishte thjesht kronika e një dite në qytet.
Në Bathore
Por nga Tirana, ky vend është i anatemuar gjithnjë. Bathore, në zhargon, nënkupton një vend kaotik dhe pa rregulla. Për hir të së vërtetës, banorët e kanë bërë vetë rregullin në këtë parregullsi. Njësoj si ky burrë i ri, simpatik, që rri afër një qendre votimi, e cila as më pak dhe as më shumë duket si garazh. Ai është biznesmen lokal dhe mundohet të ruajë rregullin në këtë Lagje të Bathores. Të ndara me numrat 1, 2, 3, 4 e kështu me radhë, lagjet janë më shumë si pellgje banimi, të cilat njihen me emrat e familjeve apo zonave nga kanë ardhur banorët. Ke vend dibranësh, kuksianësh, tropojanësh e me radhë. Përpos, gjen të gjithë veshjen tradicionale të veriut. Habia është se ajo mbahet deri vonë te përfaqësuesit e brezave jo të moshuar. Nga përballë, ku jemi, dy të fortë, në rolin e rregullit të turmës, janë njerëzit e PS-së dhe mbështetësit e kandidatit socialist. Njëri me këmbë të hodha, por me toraks të zhvilluar që ia nxjerr në pah një kanotiere e bardhë, shikon ngado armiq. Ka vështrim inatçiu, si për të thënë se: Të provojnë, unë jam këtu. Pse gjithë këta dhe çfarë është kjo rrëmujë, më thotë një mikja ime e huaj. Kështu ndodh rëndom këtu, ia pres. I gjithë procesi, ku gjendemi për pak, zhvillohet në një garazh me çfarë shihet, ku janë ngritur qepenat e njërës anë dhe tjetra e hapur shërben si vend nga ku futesh. Ska radhë. Ka një lumnajë njerëzish që flasin, shikojnë, shtyjnë. Mundohemi të mbarojmë shpejt punë, por një nga vëzhguesit, për të treguar se ka situatën në dorë na bërtet. Nuk do tia di fare për lejen e komisionit. Ndërkohë, një çift, që e kemi hasur në qendrën më parë në Bathore, vjen të votojë sërish. Në qendrën më parë, na thanë se nuk kishin mundësi sepse nuk gjenin emrin. Më duket se gruaja thjesht skishte atje dokument identifikimi. Ulen dhe presin. Në një tjetër, një çift të moshuarish vinë me kumaren. Kështu thotë burri, kumbari , që është me një mercedes, dhe që pasi i nxjerr nga qendra i merr me makinë dhe i shtyn nuk e di se ku. Nuk dinë të votojnë, ndërsa përfundojnë pastaj duke votuar së bashku. Banorët janë konfuzë por ata që vijnë janë të veshur sa më mirë. Duket qartë një druajtje e tyre dhe një makth. Ndaj kujt? Më të shumët shtyjnë. Kot. Syresh mundohen të futen pa radhë dhe konfuzioni dhe tiparet më thelbësore të genit të shqiptarëve këtu duken haptazi. Këtu nuk ka vend për vëzhguesin e huaj apo për të tjerët, këtu duhet thjesht kush të jetë i pari: Kjo ka rëndësi.
Dy plaka, rrinë dhe shohin. Njëra me veshjen e Pukës, po ku dominon e zeza dhe tjetra me një veshje tipike të jugut. Rrinë pa folur. Njërës prej tyre i është rritur shumë niveli i sheqerit. Por ka pak rëndësi. I themi një moment atyre të komisionit, që ti japin mundësi të votojë. Jo, atyre, u duhen më të rinjtë. Rëndësi ka të mbarojnë, sipas kokës së tyre. Të ecin. Në dukje është gjithçka qetë. Burra dhe djem të fortë janë kudo nëpër dyer dhe selektojnë ata që do të futen më parë. Radha dhe edukata e saj shyn në punë. Për fat, mbeten shumë të respektueshëm me median dhe u pëlqen ajo baxha e gazetarit, që u duket se do tu ndryshojë diçka. Njëri prej tyre djalë i ri, që flet pak anglisht, na tregon se është DJ dhe se është në grupet e votimit dhe se kjo qendër, ku jemi, është bash në shtëpinë e tij. Në fakt, vetëm gati dhjetë ditë më parë, mbështetësit e PS në Kamëz kanë apeluar. Në një deklaratë, që i kanë bërë me dije, KQZ-së ata i përmendin këtë fenomen. Por, asgjë. Ke objektin e Fiqiri Qimanit, objektin e Lulzim Lamës, objektin e Xhelal Koldashit, dy qendra votimi në lokalin e Izet Ahmetaj, objekti i Ali Vatit, kujtoj paralajmërimin e deputetit socialist Dokle, drejtuar KQZ-së, që kuptohet se është dëgjuar pak..
Militantët, luftë nervash
Në fakt KQZ-ja është në rregull me gjërat e veta. Konform kodeve të caktuara ka shpërndarë fletët, bojën dhe ka trajnuar komisionerët. Të vetmen gjë që bën ajo, është se nuk i shpëton dot Partive dhe militantëve të saj. Tagri, që u kanë dhënë militantëve, që rrinë jashtë, zakonisht me makina me targa të huaja, është i tej madh. Në të gjithë Kamzën dhe përtej, këta qarkullojnë me makinat me timonin nga ana e kundërt e sistemit tonë, parakalojnë njëri-tjetrin ose ndalojnë makinat në rrugë dhe fjalosen. Pastaj sorollaten për gjahun e qyqarëve në qytet dhe Bathore. Të dy palët e militantëve, ngado që ikim, e vështrojnë njëri-tjetrin nga lart dhe kanë një luftë nervash të patreguar. Nuk mund tjua shpjegoj kolegëve të mi të huaj, por secili vendos dhe ndahet për punën e vet. Kjo i çakordon disi militantët, që këqyrin për çfarëdo fytyre të re. Duhet që para se të futesh në çdo qendër më parë të kesh kaluar sitën e tyre. Erdhën vëzhguesit, pëshpëritin me njëri-tjetrin. Nga andej të vinë vështrime të egra, kur nuk u përputhet akordi. Më të disiplinuar mbeten njerëzit e komisioneve të dy palëve, që më shumë se punë, e kanë angari procesin mamuthor shqiptar. Dhe, duhet të jetë e vërtetë. Mundohen të tolerojnë hera-herës njëri-tjetrin, por problemi më i madh i tyre mbeten banorët që pretendojnë se nuk dinë të lexojnë dhe të tjerët që nuk shohin. Të gjithë i shoqërojnë militantë. Ose të themi se i instruktojnë. Vota në këtë vend paçka fjalëve, është një votë me kah të përcaktuar. Votohet vetëm për PD-në, se po të votosh për PS-në ke votuar për Komunistët!!!. Ke votuar për Enverin dhe mos o Zot, po u ngjall ai të kthejnë sërish pas andej nga ke ardhur. Nënvetëdije duhet të kenë vegimet e jetës së vështirë dhe të atyre pjesëve nga kanë ardhur, që janë të tillë