E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kanadaja do të njohë shtetin palestinez, Trump: Kërcënon marrëveshjen tregtare. Izraeli: Shpërblim për Hamasin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kanadasë për të njohur shtetin palestinez, duke e cilësuar atë si një pengesë serioze për marrëveshjen tregtare mes dy vendeve.

“Uau! Kanadaja sapo ka njoftuar se po mbështet shtetësinë e Palestinës. Kjo do ta bëjë shumë të vështirë për ne që të bëjmë një marrëveshje tregtare me ta. Oh Kanada!!!”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Kërcënimi i presidentit amerikan vjen vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të tarifave më të larta për vendet pa një marrëveshje tregtare me SHBA-në, ku Kanadaja rrezikon të përballet me tarifa prej 35% për shumicën e mallrave.

Njohja e shtetit palestinez nga Kanadaja u pasua me reagime të forta ndërkombëtare. Izraeli e quajti vendimin një “shpërblim për Hamasin” që, sipas tij, dëmton përpjekjet për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve.

“Njohja e një shteti të tillë dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe dëmton punën drejt lirimit të pengjeve të mbetura. Planet për të njohur një shtet palestinez i japin Hamasit inkurajim dhe e forcojnë qëndrimin e tij”, shkruan ministria e Jashtme në X,.

Nga ana tjetër, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e përshëndeti si një hap “historik” drejt paqes dhe të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje.

“Ky vendim i guximshëm dhe parimor shënon një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë, paqes dhe realizimit të vonuar të së drejtës së patjetërsueshme të popullit palestinez për vetëvendosje”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme e Autoritetit Palestinez në X.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi se vendimi për njohjen bazohet në angazhimin e Autoritetit Palestinez për reforma, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2026 dhe demilitarizimin e shtetit palestinez.

Ky vendim e vendos Kanadanë në të njëjtën linjë me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, ndërsa kriza humanitare në Gaza vijon të thellohet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›