50 vite nga krijimi i OSBE, gjysmë shekulli nga nënshkrimi i “Aktit Final të Helsinkit”

Më 1 gusht të vitit 1975, blloku lindor dhe ai perëndimor nënshkruan “Aktin Final të Helsinkit” në kryeqytetin finlandez. Marrëveshja historike mes 35 shteteve, përfshirë Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, çoi në krijimin e OSBE-së, e cila sot bashkon 57 vende.
Ndër parimet kryesore të sanksionuara në traktat janë sovraniteti shtetëror, mospërdorimi i forcës dhe mbi të gjitha, paprekshmëria e kufijve.
“Shtetet pjesëmarrëse i konsiderojnë të paprekshëm të gjithë kufijtë e njëri-tjetrit, si dhe kufijtë e të gjitha shteteve në Evropë, dhe për këtë arsye ato do të përmbahen tani dhe në të ardhmen nga sulmet ndaj këtyre kufijve”- thuhet në tekstin e traktatit të nënshkruar 50 vite më parë në Helsinki.
Këto angazhime janë sfiduar rëndë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, gjë që ka shkaktuar krizën më të rëndë në historinë e OSBE-së. Që atëherë, Kievi ka kërkuar pa sukses që Rusia të përjashtohet nga organizata ndërkombëtare.
Megjithatë, në korrik të vitit të kaluar, ligjvënësit rusë votuan për të pezulluar pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, duke e quajtur atë antiruse dhe diskriminuese, ndërsa Rusia është ende i listuar si shtet anëtar në faqen zyrtare në internet të organizatës.
Finlanda mori drejtimin e presidencës së OSBE-së në fillim të këtij viti. Ky vend kërkon të krijoj “Fondin Helsinki +50”, një nismë që synon të rrisë financimin vullnetar për organizatën me seli në Vjenë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/