Kanadaja, surpriza e ëmbël e Amerikës së Veriut

Askush nuk e priste një paraqitje të tillë por Kanadaja është sot ndoshta surpriza më e madhe e të gjithë eleminatoreve në të gjashta konfederatat e planetit. Në zonën Concacaf që mbulon kryesisht Amerikën e Veriut, formula e fazës eleminatore për Kupën e Botës është disi e komplikuar pasi të kualifikuarave direk për në fazën finale me 8 skuadra që ishin Kosta Rika, Xhamajka, Meksika, Hondurasi dhe SHBA iu bashkuan edhe me El Salvadori, Panama e Kanadaja që zhvilluan fillimisht një fazë paraeleminatore.
Janë pikërisht fqinjët veriorë të amerikanëve të cilët kanë zhvilluar një edicion të jashtëzakonshëm deri në këto momente edhe pse ka ende shumë javë për të finalizuar garën. Në grupin me 8 skuadra, Kanadaja kryeson pa asnjë humbje dhe për më tepër vjen këtë fundjavë nga një fitore shumë e rëndësishme 2-1 ndaj Meksikës. Në ndeshjen e luajtur në Edmonton të Albertas, suksesi i siguroi skuadrës vendase 3 pikë që e cojnë në kuotën 16 dhe tashmë ngjiten në kuotën e 4 fitoreve dhe po kaq barazimeve.
SHBA ka zbritur në vendin e dytë me 1 pikë më pak ndërsa treshen që siguron edhe kualifikimin direkt për në Kupën e Botës, e plotëson Meksika me 14, po aq sa Panamaja që për momentin është zhvendosur në zonën play off. Ky është një sezon ku Kanadaja po vendos rekord pas rekordi pasi suksesi ndaj Meksikës nuk ishte arritur që prej 21 vitesh, ndërsa në një fazë eleminatore të botërorit nuk triumfonte dnaj meksikanëve që prej vitit 1976.
Në 17 ndeshjet e fundit, Kanadaja nuk ka pësuar gol në 8 raste ndërsa ka shënuar plot 52 gola. Një tjetër rekord i kësaj skuadre janë edhe 8 fitoret rresht në Kupën e Artë të Concacaf ku ka arritur deri në gjysmëfinale ku mungonte që prej vitit 2007. Gjithsesi, objektivi mbetet i qartë, ndeshjet e fazës së dytë eleminatore të Kupës së Botës 2022, fillimisht tre sfida në Janar dhe Shkurt e më pas tre të tjera në mars.
Në një grup ku kanë dominuar kryesisht meksikanët por edhe amerikanët, janë pikërisht djemtë e John Herdman heronjtë e vërtetë që të frymëzuar nga një brez i artë lojtarësh me yllin e Bayern Munchen, Alfonso Davies në qëndër, synojnë të shkruajnë historinë edhe pse në Kanada, futbolli është sport i dorës së dytë apo të tretë. Eksperienca e Atiba Hutchinson dhe forca fizike e Sam Adekugbe dhe Tajon Buchanan I kanë shtuar fuqinë motorrike kësaj skuadre që nuk di të dorëzohet asnjëherë.
Cyle Larin është gjithashtu një nga lojtarët kyc të kësaj skuadre dhe këtë e tregoi me dy golat e shënuar ndaj Meksikës duke e afruar edhe më shumë këtë skuadër me objektivin botëror, pasi në një eveniment të tillë Kanadaja nuk shkon që prej vitit të largët 1986. Një projekt që ka nisur prej vitesh dhe sot po jep frytet e tij. Kanadaja ka hedhur kandidaturën për të dominuar futbollin amerikano verior gjatë viteve të ardhshme dhe me rikthimin në garë të fqinjit verior, asgjë nuk do të jetë më e e thjeshtë për SHBA apo edhe Meksikën.