E Enjte, 5 Nëntor 2026

Senati i Kilit nuk miraton impiçmentin ndaj presidentit Pinera

Senati i Kilit mbrëmë vonë vendosi të mos fajësojë presidentin Sebastian Pinera për përfshirjen e tij në shitjen e diskutueshme të një kompanie të minierave përmes një kompanie në pronësi të fëmijëve të tij.Në Senatin prej 43 anëtarësh, për impiçment nevojiten dy të tretat e votave. Totali i votave pro ishte më pak se 29 votat e nevojshme për të hequr presidentin, i cili do të përfundojë mandatin e tij të dytë në detyrë në mars të vitit të ardhshëm.

Dhoma e ulët e Kilit javën e kaluar miratoi impiçmentin kundër presidentit Pinera mbi akuzat se ai favorizoi shitjen e një prone familjare e cila nga qeveria mund të shpallej rezervë natyrore, siç zbulohet në aferën “Pandora Papers”.

Afera zbuloi se shitja e kompanisë së minierave Dominga për 152 milionë dollarë përfshinte një kompani të lidhur me familjen Pinera, gjë që e shtyu zyrën e prokurorit të hapte një hetim për “ryshfet dhe krime eventuale tatimore”.

Marrëveshja në Ishujt e Virgjër u bë në vitin 2010 me një nga miqtë më të ngushtë të Pinera-s gjatë mandatit të tij të mëparshëm si president.

Avokati mbrojtës i presidentit argumentoi se akuzat nuk kanë bazë ligjore dhe se ai tashmë ishte liruar nga akuzat në vitin 2017.

Të dielën, në Kili do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në të cilat Pinera nuk do të marrë pjesë.

Nëse impiçmenti në Senat do të ishte i suksesshëm, Pinera-s do t’i ndalohej mbajtja e posteve publike për pesë vjet./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›