E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kanceri i gjirit, Rakacolli: 20 mijë depistime në 10 muaj, 250 gra e kapën në kohë sëmundjen

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Akademia e Shkencave të Shqipëri organizoi sot Konferencën e parë Kombëtare për Kancerin e Gjirit.

Qëllimi i konferencës është paraqitja e kësaj patologjie që për nga incidenca është e para nga llojet e tumoreve që prekin gratë në vendin tonë. Në fjalën e saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se për veçoritë që ka kjo sëmundje, politikat e qeverisë në strategjinë e shëndetësisë për periudhën 2020-2030 janë të gjitha të përqendruara nga depistimi, te kapja në kohë e shenjave të para të sëmundjes përmes depistimit, diagnostikimin e deri te shërbimi paliativ.

“Prekim të gjitha fushat me të cilat lidhen sëmundjet onkologjike, nga parandalimi, diagnostikimi i hershëm deri te shërbimi paliativ. Te parandalimi, ka shumë ndikim jetesa e shëndetshme dhe eliminimi i faktorëve të riskut, siç janë sëmundjet infektive, lufta kundër duhanit, problemet që sjell alkooli etj. Fokusi tek ushqimi i shëndetshëm duhet të fillojë që në fëmijëri, në shkolla dhe mënyra e ushqyerjes së shëndetshme dhe stili i jetesës së shëndetshme. Diagnostikimi i hershëm është sfidë më vete me këto sëmundje, se nga ajo varet edhe prognoza, por fushatat e depistimit dhe programet e check up-it ndihmojnë në kapjen në kohë të këtij lloj kanceri”, tha Rakacolli.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e vuri theksin te fushata e depistimit duke shtuar se në vetëm 10 muajt e parë të këtij vitit janë kryer rreth 20 mijë të tilla te gratë për kancerin e gjirit.

“Nga pesë mijë depistime të parashikuara, për këto 10 muaj janë kryer 20 mijë depistime, teksa 250 gra që nuk kishin shenja e kapën në kohë sëmundjen. Jemi akoma larg targetit, ky numër duhet të jetë deri në 50 mijë sipas numrit të popullsisë, por ne vazhdojmë në mënyrë progresive fushatat tona”, tha Rakacolli.

Ajo kujtoi rëndësinë e vaksinës HPV, për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

“Vaksina e HPV-së te vajzat 13 vjeçe është një tjetër element që duhet kujtuar dhe që parandalon kancerin e qafës së mitrës. Diagnonistikimi i hershëm ka të bëjë edhe me aparaturat e mjekësore, pasi janë shtuar skanerët, rezonancat, janë gjashtë në të gjithë Shqipërinë, skanerët në të gjithë spitalet rajonale, janë shtuar burimet njerëzore. Në të gjitha spitalet përveç onkologëve në QSUNT, ka të tillë të gjithë spitalet rajonale. Gama e analizave për diagnostikimin e hershëm janë shtuar shumë. Në sajë të kontratës për laboratorët, ofrohet e njëjta gamë analizash si në spitalet universitare dhe ato rajonale, ndërsa buxheti i 2024 është i rritur 36% më shumë për barnat onkologjike seç ka qenë në vitin paraardhës”.

Rakacolli tha se vëmendja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është te shtrirja e fushatave të luftës kundër llojeve të ndryshme të kancerit, jo vetëm gjatë muajit tetor, por edhe në muajt e tjerë të vitit në çdo qytet të Shqipërisë, sipas një kalendari të paracaktuar.

Konferenca për kancerin e gjirit, Foto: Agim Dobi 1 nga 5

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›