Pesë vite nga tërmeti që preku Shqipërinë, Vengu: Mijëra familje kanë hyrë në banesa të reja

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përkujtoi sot 5-vjetorin e tërmetit shkatërrimtar që preku Shqipërinë më 26 nëntor 2019.
“Pesë vite më parë, Shqipëria u trondit nga tërmeti që ndryshoi jetët tona, por na bashkoi për një të ardhme më të sigurt”, thekson Vengu teksa shtoi se, “qeveria nisi një proces ambicioz rindërtimi, që sot është një model shprese dhe solidariteti”.
Ai nënvizon se, “mijëra familje kanë hyrë në banesa të reja, dhe shkolla më të sigurta e të mirëpajisura kanë hapur dyert, por puna vijon”.
Ministri citon raportin e Bankës Botërore, i cili thekson se katastrofat shkaktojnë dëme deri në 7% të PBB-së, ndërsa investimet në përshtatjen klimatike mund të reduktojnë humbjet dhe të nxisin zhvillimin ekonomik, duke sjellë deri në 10 herë më shumë përfitime.
“Ne, po punojmë me përkushtim për këtë”, shprehet Vengu.
Ministri shprehet se kjo datë përkujtimore përkon dhe me themelimin, 5 vite më parë, të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila fuqizohet çdo vit e më tepër.
“Në vitin 2025 do të vijojmë me një angazhim të shtuar financiar për të rritur kapacitetet kombëtare dhe vendore në përballimin e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore, duke synuar uljen e dëmeve ekonomike dhe njerëzore në të gjitha zonat me risk”, nënvizon ai.
/r.e/a.f/