E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kanceri i qafës së mitrës, mjekët bëjnë thirrje për kontrolle të vazhdueshme

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë mes grave të moshës së mesme, për shkak të rritjes së rrezikut në moshën 30–40 vjeç.

Mjekët këshillojnë kontroll të vazhdueshëm dhe vigjilencë ndaj simptomave të para, siç janë gjakderdhja dhe shqetësimet gjatë urinimit.

“Më të prekura, sigurisht, janë moshat e mesme për vetë faktin se kanceri i qafës së mitrës nuk zhvillohet brenda ditësh, javësh, muajsh. Ai do një periudhë disavjeçare që të zhvillohet nga momenti fillestar i infeksionit me Human Papillomavirus. Simptomat më të zakonshme të shfaqjes së kancerit të qafës së mitrës janë gjakrrjedhja, veçanërisht gjatë marrëdhënieve intime. Kjo është shenja e parë dhe alarmante. Por ne nuk duhet të arrijmë të shohim simptomën. E mira është që edhe Ministria e Shëndetësisë të aplikojë politika të tilla që pap-testi të jetë i aksesueshëm për pjesën më të madhe të grave dhe vajzave,” tha anatomopatologia Teona Bushati.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka kërkuar të mos neglizhohen kontrollohet, pasi vetëm nëpërmjet tyre arrihet të zbulohet çdolloj ndryshimi në qafën e mitrës.

“Më e rëndësishmja është parandalimi sesa kurimi. Check-up është për të kapur sëmundjet në kohë të hershme, pastaj vlera e tij do të duket mbrapa,” u shpreh zv.ministrja Rakacolli.

Megjithëse ekziston vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës, është provuar se vaksinimi është i pamjaftueshëm. Për të luftuar këtë diagnozë duhet aplikuar kombinimi i vaksinimit, depistimi dhe trajtimi.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›