E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, Rama në Kukës: Kemi Inflacionin më të ulët në rajon. Të ardhurat për frymë në 2030, 15 mijë euro

Në një takim me qytetarët në Kukës, kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kreu i Partisë Socialiste ka treguar me shifra arritjet e qeverisë gjatë këtyre viteve në pushtet, dhe po ashtu edhe projeksionin për të ardhmen.

Sipas kreut të qeverisë, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur me 2 herë e gjysmë brenda një dekade, duke arritur në vlerën e 25 mld euro, ndërsa synimi është që të arrijë në 35 mld euro në vitin 2030. Po ashtu, Rama tha se edhe të ardhurat për frymë janë rritur duke shkuar në mbi 10 mijë euro, teksa projeksioni për vitin 2030 është që të kapë shifrën 15 mijë euro.

“Të gjitha sondazhet na japin fitues me një avantazh të madh me të tjerët. Shumica e shqiptarëve besojnë te ne, shumica e shqiptarëve besojnë se vendi është në drejtimin e duhur dhe besojnë se në vitet e ardhshme përmirësimi do të vazhdojë dhe ekonomia e tyre do të jetë më mirë. Unë kam sjellë disa të dhëna dhe dua ta nis me PBB, që është e gjithë vlera që vendi krijon, e matur mbi bazën e çdo të ardhure të krijuar në një vend. PBB kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 mld euro, në fund të 2024 rezultoi 25 mld euro dhe projeksioni ynë që në Shqipërinë e 2030 PBB do të shkojë në 35 mld euro. Pra në një dekadë ne e kemi rritur prodhimin e përgjithshëm kombëtar 2 herë e gjysmë. Është një rritje e cila është më e larta në rajonin tonë. Të ardhurat për frymë, e kemi marrë detyrën me një nivel 3300 euro, në 2024 arritën në 10300 euro dhe projeksioni për 2030 është që të shkojnë në 15 mijë euro”, tha Rama.

Kryeministri tha po ashtu se qeveria që ai drejton ka ulur borxhin publik në vend duke e çuar në 54%. Për inflacionin, Rama deklaroi se, sipas të dhënave nga FMN, vendi ynë renditet në vendin e parë me nivelin më të ulët të inflacionit në rajon.

“Borxhi publik është një nga pikat kyçe të matjes së shëndetit të ekonomisë së një vendi dhe kur morëm detyrën Shqipëria kishte një borxh publik 70.4% dhe përveç kësaj shifre zyrtare gjetëm një borxh të fshehur që ishte borxhi i krijuar ndaj kompanive. Ku borxh ishte afro 700 mln euro në atë kohë. Pavarësisht se ne kaluam edhe dy momente ku patëm imponimin nga situata për të rritur përsëri borxhin, COVID dhe tërmeti, ne e kemi ulur borxhin në 54% që konsiderohet një nivel mesatar, normal për një vend si vendi ynë.

Inflacioni, e dimë shumë mirë që rritja e çmimeve ka qenë një problem botërisht, por Shqipëria ka patur nivelin më të ulët të inflacionit. Sipas të dhënave të FMN, në mesataren e inflacionit në rajon gjatë 10-vjeçarit të fundi, Shqipëria renditet në vendin e parë me nivelin më të ulët të inflacionit“, theksoi kryeministri.

Në një takim më vonë pasditen e kësaj të mërkure (30 prill) po në Kukës, Rama u ndal te turizmi. Ai tha se nëse PS merr një mandat të katërt, vëmendja në Kukës do të jetë te qyteti i nëndheshëm. Sipas Ramës, ai mund të kthehet në një nga atraksionet më të bukura të Shqipërisë.

“Ka dhe një tjetër element që do ta vendosim në qendër të vëmendjes në mandatin e katërt që është qyteti i nëndheshëm këtu. Me qytetin e nëndheshëm kemi mundësi tani të krijojmë një nga atraksionet më të bukura të Shqipërisë. Kur unë thoja që Tropoja do të bëhej një nga destinacionet turistike dhe këtu do të vinin shumë turistë dhe këtu do të jetonin me turistët, nuk besonte njeri. Ndërkohë që sot Tropoja e ka të hapur rrugën e destinacionit turistik. Potenciali i Kukësit, nëse ne sëbashku arrijmë të kombinojmë, të krijojmë atraksionin duke vendosur në qendër si një magnet qytetin e nëndheshëm për të cilin po përgatisim një konkurs ndërkombëtar për ta kuptuar ekzaktësisht si do të zhvillohet”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›