Kandidatët për deputetë përballë qytetarëve – Në fokus pagat, çmimet, taksat dhe shërbimet sociale

Për herë të parë qytetarët u vendosën përballë kandidatëve për deputetë të forcave kryesore politike në vend, të cilët garojnë në qarkun e Tiranës.
Ishte një forum i shoqërisë civile, Aleanca Gjinore për Zhvillim, që i bashkoi kandidatët pavarësisht siglave.
“Ky angazhim i vazhdueshëm është dëshmi e vullnetit të shoqërisë civile për të të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe për të rritur cilësinë e dialogut në vend”, u shpreh Mirela Arqimandriti, drejtuesja e Aleancës dhe aktiviste e shoqërisë civile.
Kandidatët promovuan transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen qytetare në procesin zgjedhor, ndërsa prezantuan prioritetet e tyre, sidomos në fushën ekonomike.
“Për minimumin jetik, për pensionet, indeksimi i pagës do të bëhet në bazë të CPI-së që është për produktet e shportës. Jo vetëm në bazë të normës së inflacionit, por që të reflektojë në mënyrë reale rritjen e çmimeve që do të ketë vit pas viti”, u shpreh Jonathan Pano, kandidati për deputet i Partisë Demokratike.
“Kur PS mori pushtetin, tre mandate më parë dhe e gjeti atë me të ardhura për frymë që ishin 3.324 euro. Sot jemi në 10.342 euro”, deklaroi kandidati i Partisë Socialiste, Erion Malaj.
Kjo është një iniciativë e cila do të vijojë edhe në qarqe të tjera, me synim krijimin e hapësirave të hapura dialogu ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/