Balla: Sorollatja e diasporës nuk do të tolerohet, DHL të respektojë kontratën me KQZ-në

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla, ka inspektuar procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 majit në zyrat e postës DHL në Selanik. Gjatë këtij inspektimi, Balla, në një prononcimi për mediat, theksoi se: “kompania ndërkombëtare DHL, duhet të përmbushë ‘një më një’ detyrimin që ka nga kontrata me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.”Balla nënvizoi se vota e diasporës përbën një moment historik për Shqipërinë evropiane dhe si rrjedhim “nuk do të tolerohet asnjë sorollatje për bashkatdhetarët në diasporë”.
“Kompania ndërkombëtare DHL duhet të përmbushë ‘një më një’, detyrimin që ka nga kontrata me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra me shtetin shqiptar. Nuk mund të tolerojmë asnjë sorollatje të bashkatdhetarëve. Kemi paguar si shtet postën vajtje-ardhje dhe duam shërbimin siç duhet ta garantojë reputacioni ndërkombëtar i kësaj kompanie dhe të mos shfajësohet pas nënkontraktorëve.”, tha Balla.
Në deklaratën e tij për mediat nga Selaniku, Balla sqaroi se çdo qytetar ka të drejtën të zgjedhë vetë orën dhe vendin e dorëzimit përmes linkut që u është dërguar dhe u kujton se posta është e parapaguar nga shteti shqiptar.Në rast se qytetarët nuk arrijnë ta marrin në dorëzim në përpjekjen e parë, postierët do të bëjnë deri në dy tentativa të tjera për t’i kontaktuar.
“Më shumë se gjysma e fletëve të votimit për diasporën kanë mbërritur tek ju. Shërbimi postar DHL ose nënkontraktorët, do t’ju njoftojnë me një SMS ose e-mail për t’ju informuar se dërgesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbërritur (pra zarfi me fletën e votimit). Ju mund ta ndryshoni dhe ta caktoni vetë datën dhe orën e dorëzimit sipas kohës dhe mundësisë suaj, në linkun që DHL ju ka dërguar me SMS ose me e-mail. Klikoni linkun dhe ndiqni instruksionet. Ju mund të shkoni ta tërhiqni në zyrën më të afërt apo në një zyrë që e caktoni ju, të shërbimit postar DHL.” sqaron Balla.
Më tej, ai sqaron shqiptarët në diasporë se, “në rast se ju nuk e keni parë mesazhin SMS apo e-mail, postieri do të tentojë edhe dy herë të tjera të lidhet me ju për dorëzimin e zarfit.”
https://www.facebook.com/b.taulant/videos/675355998763627
/rtsh.al/