Kandidatët për kryetar të PDK-së në Viti nuk po merren vesh

Mos marrëveshjet dhe dëshira për pushtet kanë hapur fronte të reja mes dy kandidatëve për kryetar të PDK-së në Viti. Skena të tilla do të mund të përsëritën sërish. Kjo pasi kryetari i degës së PDK-së, Daut Xhemajli, do t’ia parandalojë pjesëmarrjen në kuvendin zgjedhor kundërshtarit të tij më të madh, Nexhmedin Arifit.
Por deklarimi i Xhemajlit se nuk do ta lejojë pjesëmarrjen e Nexhemdin Arifit befason koordinatorin e zgjedhjeve të PDK-së, Basri Musmurati, raporton KTV. Ai vlerëson se problemi i Vitisë është lehtë i zgjidhshëm, megjithëse pranon se në këtë rast domosdoshmërish është i nevojshëm intervenimi i qendrës.
Por, Xhemajli e Arifi që të dy besojnë se kanë mbështetjen e qendrës, përkatësisht të kreut të partisë, Hashim Thaçi dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë.
Derisa Daut Xhemajli akuzon Nexhmedin Arifin për presione, shantazhe si dhe blerje të delegatëve, këtij të fundit i vjen keq për pozitën në të cilën, sipas tij, ka rënë Xhemajli. Kryesia e Partisë Demokratike pritet të mblidhet të mërkurën për ta caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë komunë. /Indeksonline/