Kanosën me armë dhe tentuan të nxirrnin me forcë nga makina 35-vjeçarin, arrestohen 3 të rinj Vlorë

Tre shtetas -Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë, janë arrestuar në flagrancë nga policia e Vlorë, pasi dyshohet se kanë kanosur me pistoletë sportive dhe kanë tentuar të nxjerrin me forcë nga automjeti një 35-vjeçar, duke e dhunuar.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, ku tre të rinjtë dyshohet se kanë kërcënuar me armë 35-vjeçarin dhe më pas e kanë goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës, me qëllim nxjerrjen e tij nga makina.
Si pasojë e ngjarjes, shtetasi i dëmtuar është dërguar në spital për mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka ndërhyrë menjëherë duke identifikuar dhe arrestuar autorët, ndërsa gjatë kontrolleve është sekuestruar një pistoletë sportive e dyshuar si mjeti i përdorur në kanosje, si dhe dy automjete të përfshira në ngjarje.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për “Kanosje”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
/vizionplus.tv