Kantieri i Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë, Rama: Dëshmi e bashkëjetesës shqiptare me hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit
Në qytetin e Vlorës vijojnë punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar, një projekt me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, që do të dëshmojë mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit.
Muzeu Hebraik Shqiptar është një projekt që mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe synon të pasqyrojë traditat e solidaritetit dhe humanizmit të rrënjosura thellë te populli shqiptar, si dhe lidhjen midis shqiptarëve dhe komunitetit hebre nëpër botë.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga kantieri i punimeve në këtë muze, ku shtoi se do të jetë dëshmi e bashkëjetesës shqiptare me hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit.
“Në kantierin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë që po ngrihet në lagjen e dikurshme të hebrenjve afër sheshit kryesor të qytetit, një ndërtesë që do të dëshmojë ndër breza historinë e rrallë të bashkëjetesës shqiptare me hebrenjtë, në vitet e errëta të Holokaustit. Projekti ndërthur arkitekturën tradicionale me atë bashkëkohore, duke ruajtur muret origjinale të ndërtesës, strukturën mbajtëse dhe elementët tipikë arkitektonikë, ndërsa i gjithë procesi do të pasurohet me qasje moderne në dizajn dhe teknologjitë bashkëkohore të ekspozimit”, shkruan Rama.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri nuk u regjistrua asnjë rast i diskriminimit të hebrenjve, por ato u mbrojtën dhe u strehuan nga qytetarët, duke i ndihmuar edhe ata të cilët mbërritën nga vendet e tjera të Evropës.
Ky muze do të funksionoj si një qendër kulturore dhe një hapësirë gjithëpërfshirëse. Ky muze ka si objektiv të shndërrohet në një destinacion për turistet, një burim krenarie lokale, dhe një mënyrë për t’u rilidhur me trashëgiminë e tyre historike për hebrenjtë që kanë jetuar në Shqipëri.
/rtsh.al/