E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kantrimen: Parlamenti t’i drejtohet gjykatës, për imunitet

SHBA- Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Tomas Kantrimen, i bëri thirrje Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Parlamenti t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me imunitetin e deputetëve.

“Ajo që presim të shohim sot, janë udhëheqës që vihen në krye, të cilët marrin përgjegjësi për institucionet që drejtojnë dhe për rendin kushtetues të vendit. Kjo është ajo që ne presim nga Kryetari i Parlamentit, zoti Krasniqi, as më pak e as më shumë. Është koha të tregohet që Kosova është e aftë të ketë të njëjtat standarte të sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë anëtarët e parlamentit. Gjykata Kushtetuese duhet të japë opinionin e saj, për të sqaruar disa nga paqartësitë por Gjykata nuk mund ta kryejë detyrën e saj nëse parlamenti, dhe konkretisht kryetari i tij, nuk janë të gatshëm të kryejnë detyrën. Nëse nuk e bëjnë këtë, nëse bien pre e tundimit për të mos bërë asgjë dhe për t’u mbrojtur pas imunitetit parlamentar, kjo nuk do t’i shërbente sundimit të drejtësisë në Kosovë”,- shprehet Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen në intervistën për Zërin e Amerikës.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan kjo do të dëmtonte emrin e Kosovës jo vetëm në Bruksel, por edhe këtu në Uashington. Pra është koha që të mos drejtohet gishti tek tjetri për përgjegjësinë, por që parlamenti të mbajë përgjegjësi për vendimet e veta.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›