Kaos në Kapshticë, udhëtarët presin me orë për të kaluar kufirin me Greqinë

Prej rreth tre muajsh, kalimi në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në pikën e Kristallopigit, pranë doganës së Kapshticës, është shoqëruar me pritje të gjata për udhëtarët.
“Fajin e ka sistemi” – kjo është përgjigjja që marrin shpesh qytetarët shqiptarë, pas implementimit të një sistemi të ri identifikimi nga pala greke.
Sipas udhëtarëve, për të hyrë apo dalë nga Shqipëria duhet të presin mbi një orë, për shkak të radhëve të gjata që krijohen në të dy anët e kufirit.
Burime bëjnë me dije se pala shqiptare ka kërkuar nga autoritetet greke përshpejtimin e procedurave, sidomos për shtetasit që disponojnë dokumente greke, por deri më tani kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.
Ndërkohë, jashtë kamerave, burime nga policia kufitare në Drejtorinë e Korçës shprehen se vonesat lidhen edhe me mungesën e trajnimit të duhur të palës greke për sistemin e ri. Procedura për çdo udhëtar zgjat deri në 10 minuta, pasi përveç vulës në pasaportë kërkohet edhe fotografimi dhe marrja e shenjave të gishtërinjve.
Një situatë që vijon prej muajsh dhe që po sjell shqetësim të vazhdueshëm për qytetarët në lëvizje.
/vizionplus.tv