E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kaos në aeroportin e Manilës, me mijëra njerëz u bllokuan ditën e ndërrimit të viteve! Shkak, ndërprerja e energjisë

Me mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar natën e ndërrimit të viteve në aeroportin më të madh të Filipineve, pas një ndërprerje të energjisë elektrike.

Ndërprerja e energjisë elektrike ndikoi përkohësisht kontrollin e trafikut ajror në aeroportin e Manilës duke anuluar 282 fluturime dhe shkaktuar kaos. Aeroporti Ndërkombëtar “Ninoy Aquino” është porta kryesore për udhëtarët në Filipine, duke i shërbyer kryeqytetit Manila dhe rajonit përreth.

Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Transportit i Filipineve, Jaime Bautista kërkoi falje për shqetësimin e shkaktuar pasagjerëve dhe tha se sistemi qendror i kontrollit të trafikut ajror të aeroportit kishte pësuar një ndërprerje të rëndë të energjisë.

“Edhe pse kishte një furnizim rezervë me energji elektrike, sërish kishte dështuar të furnizonte mjaftueshëm energji për të mos ndikuar ën punën e aeroportit. Kjo ishte një çështje e sistemit të menaxhimit të trafikut ajror,” tha Bautista.

Bautista shtoi se departamenti i tij i transportit ishte koordinuar me linjat ajrore të prekura për të ofruar ushqim, pije freskuese, transport dhe akomodim “pa pagesë për të gjithë pasagjerët e prekur”.

“Të gjitha linjat ajrore u penguan të mbërrinin në Manila ditën e ndërrimit të viteve pasi autoritetet lokale mbyllën hapësirën ajrore lokale,” thanë disa nga kompanitë ajrore të prekura.

Incidenti ka ngjallur reagim të ashpër publik, duke përfshirë politikanë, që pyesin se si dhe pse kishte ndodhur ndërprerja e energjisë në radhë të parë.

“Çfarë mënyrë për të pritur vitin e ri në aeroportet e vendit tonë. Ne do të bëjmë një hetim për të zbuluar se kush është përgjegjës dhe si mund të shmangim që kjo të ndodhë përsëri,” tha senatori filipinas Grace Poe në një postim në Twitter.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›