Kaos nga zjarret në Kroaci dhe Greqi, evakuohen mijëra banorë dhe turistë nga përhapja e flakëve

Kroacia u përball me zjarre katastrofike, ndërsa flakët përfshinë një zonë bregdetare. Një person u gjet i pajetë, dhjetëra u plagosën dhe mijëra të tjerë u evakuuan. Edhe në Greqi flakët shkaktuan evakuime masive të banorëve dhe turistëve, ndërsa erërat e forta pezulluan përkohësisht shërbimet e trageteve.
Policia kroate gjeti trupin e pajetë të një gruaje në Split, pasi një zjarr i madh përfshiu një zonë bregdetare, duke lënë dhjetëra të plagosur. Një boshnjak 34-vjeçar ishte shpallur i zhdukur nga policia kroate, e cila nuk specifikoi nëse kishte lidhje me trupin e zbuluar.
Rreth 2 mijë persona u detyruan të evakuoheshin gjatë natës nga fshatrat rreth qytetit të Omisit, pasi zjarri përfshiu kodrat përreth. Autoritetet bënë me dije se shtëpi dhe dhjetëra makina ishin shkatërruar nga flakët.
Gjatë një vizite në zonë, Kryeministri Andrej Plenkovic vlerësoi përpjekjet e zjarrfikësve. “Ky zjarr u përhap me shpejtësi rrufeje”, u tha ai gazetarëve.
Plenkovic theksoi se rajoni ku ra zjarri ishte ndër më të populluarit, pasi qytetit të Omisit, me 15 mijë banorë, aktualisht i ishin shtuar rreth 12 mijë turistë.
Shërbimi zjarrfikës tha se qindra të huaj ishin mes atyre që u evakuuan, ndërsa autoritetet bënë me dije se një tjetër zjarr u përhap në Gadishullin e Peljesacit.
Në Greqi, situata ishte dramatike në Halkidiki, ku qindra turistë u futën në det për t’u shpëtuar flakëve. Shumë të tjerë në Siviri u larguan me varka të vogla, ndërsa zjarri u përhap në një pyll.
Mbi 140 zjarrfikës, nëntë avionë dhe shtatë helikopterë u angazhuan për shuarjen e flakëve. Autoritetet helene njoftuan ndërprerje të udhëtimeve me tragete në disa ishuj për shkak të erërave të forta, ndërsa paralajmëruan se vendi do të përfshihet nga stuhitë gjatë së dielës, veçanërisht në Greqinë lindore dhe jugore.
/rtsh.al/