Kapen 17 kg kanabis do transportohej në Malin e Zi, 3 të arrestuar në Malësinë e Madhe

3 persona janë arrestuar në Malësinë e Madhe pasi u kapën me 17 kg kanabis që do e trafikonin drejt Malit të Zi.
Të rinjtë u kapën në aksin rrugor Koplik – Hani i Hotit, në fshatin Grizhë, ku droga po transportohej në mjetin tip “Benz”. Kanabisi ishte futur në një valixhe e ndarën në 16 pako, si dhe në një qese plastmasi, me peshë totale 17 kg.
Gjatë operacionit të koduar “Grizhë”, u sekuestruan 17 kg kanabis, automjeti me të cilin po transportohej droga dhe tre aparate celulare.
Në pranga përfunduan: K. G., 20 vjeç, banues në fshatin Alijaj, Malësi e Madhe (drejtuesi i automjetit); J. K., 19 vjeç, banues në fshatin Alijaj, Malësi e Madhe (pasagjer); E. O., 22 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër (pasagjer).
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
/rtsh.al/