E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen edhe tre grabitës të rrezikshëm

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës edhe gjatë kësaj jave kanë vazhduar aksionet e tyre policore, për arrestimin e personave të dyshuar për raste të grabitjeve të armatosura dhe dërgimin e tyre para organeve kompetente.

Operacioni i parë është zhvilluar në Prishtinë më 28 janar, kur është arrestuar një person i dyshuar, i cili dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në disa raste të grabitjeve të armatosura ( në një market në fshatin Bardhosh, lokale në lojëra të fatit etj), transmeton koha.

Personit të dyshuar, R. Salihu– mashkull, 25 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, i është konfiskuar një veturë e tipit VW Jetta, ngjyrë e verdhë, me targa të Republikës së Kosovës, veturë kjo që dyshohet të jetë përdor pas realizimit të grabitjeve, për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Operacioni i dytë i organizuar mirë nga hetuesit, është realizuar me datën 29.01.2013 në Ferizaj, ku për grabitje të armatosura të raportuara në rajonin e Prishtinës, (barnatore, bastore, postë, pompa derivatesh etj), është arrestuar, D. Krivaqa– mashkull, 30 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ka qenë i kërkuar edhe më herët për grabitje të armatosura, nga ana e hetuesve rajonal të Prishtinës.
Personit në fjalë i është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël e substancës narkotike e cila dyshohet të jetë marihuanë.

Puna e hetuesve rajonal të Prishtinës ka rezultuar e suksesshme edhe dje, ku rreth orës 15:00, në Han të Elezit është arrestuar, T. Dashi– mashkull, 20 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në raste të grabitjeve të armatosura.

Dy të dyshuarve të parë, iu është vazhduar masa e paraburgimit për një muaj, ndërsa me aktvendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i dyshuari i tretë po mbahet në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, për procedura të mëtejme.

Vlen të theksohet se për rastet në fjalë si dhe për raste të tjera të grabitjeve e vjedhjeve, policia po vazhdon operacionet, është në kërkim të disa personave të cilët i ka identifikuar, si të dyshuar të mundshëm për vepra penale kundër pronës dhe pasurisë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›