Kapet hajduti, vodhi 12 milionë lekë
Elbasan- Vodhi 12 milionë lekë në një banesë, kapet pas 9 muaj hetimesh. Policia e Elbasanit ka vënë në pranga Kastriot Kryemadhin, 29 vjeç, me banim në Prrenjas të Librazhdit, pasi akuzohet për vjedhjen e 12 milionë lekëve të vjetra në banesën e shtetases T.Qosja, me banim në të njëjtin qytet. Ngjarja ka ndodhur më 14.09.2010 dhe që nga ajo kohë policia ka hetuar rreth autorit pasi kishte dyshime të forta në adresë të tij. Në operacionin e koduar “Kohë e Shkuar” është bërë e mundur të dokumentohet se autor i vjedhjes është 29-vjeçari. Ndaj autorit, Prokuroria e Elbasanit kishte nxjerrë një urdhër arresti, pasi që nga moment i ngjarjes, Kastriot Kryemadhi ishte zhdukur nga vendbanimi. Burime hetimore pohuan se autori dyshohet se është pjesëtar edhe i disa vjedhjeve të tjera të realizuara nga grupe kriminale ose drejtpërdrejtë nga ai. Për këtë qëllim po punohet për të zbardhur të gjitha rastet dhe për të zbuluar edhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit. Vjedhjet ordinere kanë qenë të shprehura në Elbasan dhe policia ka mundur të zbulojë e të vërë në pranga disa nga autorët e këtyre veprave penale. Megjithatë, kjo vepër penale vazhdon të mbetet problem në shkallë prefekture. F.S.