E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia sekuestron 2 kg marihuanë, trafikohej për në Greqi

SHKRUAN: Bledar Shehu 19-05-2011 10:46

Kakavije- Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur sërish një rast të trafikut të lëndëve narkotike, me destinacion Greqinë fqinje. Në doganën e Kakavijes, gjatë kontrollit të ushtruar në një autobus udhëtarësh, policia ka bllokuar 2 kilogramë marihuanë, si dhe ka ndaluar personin e dyshuar si transportues i saj. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë Kufitare në Gjirokastër, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Stacionit të Kakavijes, gjatë një kontrolli të ushtruar në autobusin e linjës ndërkombëtare Tiranë–Athinë, është gjetur një çantë në të cilën ndodhej një sasi droge. “Në çantë kishte dy pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë, sasia e së cilës llogaritet në 2 kilogramë”, thonë burime në Policinë Kufitare në Gjirokastër. Në përfundim të hetimeve të para, efektivat e kufirit në bashkëpunim me kolegët e antidrogës në Policinë e Gjirokastrës, kanë arritur në përfundimin se çanta me marihuanë i përkiste 26-vjeçarit Ferik Hamzaraj, nga Fieri, i cili udhëtonte si pasagjer në autobus. Sipas grupit hetimor, 26-vjeçari Hamzaraj jetonte prej disa vitesh si emigrant në Greqi, ndërkohë që sasinë e lëndës narkotike e kishte blerë në Fier dhe po e transportonte në drejtim të kryeqytetit grek, Athinë. Efektivat e policisë kanë bërë ndalimin e të riut për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit grek. Prej fillimit të këtij viti, policia ka sekuestruar në doganën e Kakavijës në 5 raste, rreth 50 kilogramë lëndë narkotike duke ndaluar edhe 5 persona të dyshuar si transportues të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›