E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me snajper "grabitësi i BMW-së" së atentatit ndaj Lamajt

 Nëse nuk paraqitesh në gjyq policinë e ke në shtëpi. Por, këtë e kishte harruar i konsideruari "vjedhësi" i makinave të shtrenjta, Gentian Bejtja. Ai u rikthye dje në mëngjes në burg me një akuzë shtesë. 32-vjeçari nga Larushk i Fushë-Krujës, që akuzohet për vjedhjen e BMW-së së atentatit ndaj Kryekomisarit Dritan Lamaj, zbulohet se mbante një armë snajper pa leje. Ditën që duhej të zhvillohej gjyqi, për koincidencë nuk u paraqit as avokati i Bejtjes, Gramoz Lika. Juristit iu vunë prangat nga policia për një akuzë që gjykata e vlerësoi se nuk ka prova.

Kontrolli

I dyshuari Gentian Bejtja nuk është paraqitur në seancën gjyqësore që ka qenë në ngarkim të tij. Për pasojë policia ka shkuar në kërkim të tij dhe pas një kontrolli në mjet i zbulojnë edhe një armë; një pushkë me dylbi që për policinë kualifikohet një “armë snajper”. Gen-tian Bejtja ka rënë sërish në pranga dhe përveç akuzës së ngritur në fund të shkurtit të këtij viti për vjedhjen e makinës me të cilën u krye atentati ndaj Lamajt, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Për këtë akt Bejtja kaloi nëpër disa seanca gjyqësore, ndërsa u la i lirë disa javë më parë. Me të njëjtën akuzë, atë të grabitjes së makinës BMW, u arrestua edhe fqinji i tij, Enver Stafuka, i cili gjendet akoma në qeli, por ndryshe nga fillimet e gjykimeve, dy të akuzuarit për grabitjen e makinës, janë deleguar për tu gjykuar në Durrës, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur mos kompetencë. Makina BMW, e cila pretendohet se është edhe çelësi për të zbuluar atentatorët e asaj vrasjeje, u tha se u grabit dy netë para krimit në Durrës dhe, sipas ekspertëve të hetimit, autorë të dyshuar janë pikërisht fqinjët Bejtja dhe Stafuka.

Grabitja e BMW-së

Gjatë periudhës shkurt-gusht, Bejtja ka qenë i arrestuar për akuzën e vjedhjes së automjetit në rrugën "Aleksandër Goga" në Durrës, e cila më pas u përdor për vrasjen e kryekomisarit Lamaj në Tiranë. Mjeti u gjet disa orë më vonë i braktisur dhe i djegur në periferi të Tiranës. Pas një maratone seancash, çështje e cila nga gjykata e Durrësit iu kalua Krimeve të Rënda, dhe më pas sërish Durrësit, Bejtja u la i lirë, me masën detyrim paraqitjeje. Mësohet se vendimi i gjykatës hasi në kundërshtimin e organit të akuzës, të cilët vendosën të apelojnë duke kërkuar ndryshim të masës së sigurisë. Seanca e radhës për të ishte parashikuar të mbahej më 11 shtator në Apelin e Durrësit, po aty kanë munguar si 32-vjeçari, Gentian Bejtja, ashtu edhe avokati i tij mbrojtës, Gramoz Lika. Ky i fundit ishte arrestuar pas një urdhër-arresti të nxjerrë nga prokuroria, e cila e akuzonte për "ndikim të paligjshëm ndaj gjyqtarëve" si dhe "shpërdorim detyre". Mungesa e të pandehurit Bejtja ka detyruar Gjykatën e Apelit të kërkojë shoqërimin e tij nga policia. Mësohet se pas këtij vendimi, efektivat blu kanë shkuar në Fushë-Krujë, ku gjatë kontrollit që kanë ushtruar në automjetin e Bejtjas kanë gjetur dhe një armë zjarri, duke e rikthyer sërish në burg. Ndërkohë arma tip snajper është dërguarnë laboratorin e kriminalistikës për t'u ekzaminuar.

Avokati i Bejtjes në pranga

Avokati Gramoz Lika u arrestua nga policia më 11 shtator. Personi që do të mbronte në Gjykatën e Apelit Gentian Bejtjan u vu në pranga pikërisht ditën kur do të zhvillohej edhe kjo seancë gjyqësore, ku do të vendosej fati i krutanit, për të qëndruar në qeli apo nën hetim në gjendje të lirë, deri në përfundimin e hetimeve. Lika u akuzua se kishte përfituar shumën prej 1 mijë euro nga një shtetas kosovar, që interesohej për lirimin e një të afërmi të tij, i ndaluar nga policia kufitare për falsifikim dokumentesh. Organi i akuzës e justifikoi arrestimin me pretendimin se Lika kishte ndërhyrë tek një gjyqtar në Durrës, për të liruar klientin e tij nga Kosova. Por Lika u lirua më 13 shtator me vendim gjykate e cila e vlerësoi ndalimin e tij të paligjshëm. Sipas gjykatës nuk kishte prova që avokati të kishte ndërhyrë tek gjyqtari për të liruar klientin kosovar. Mësohet se hetimi kundrejt avokatit Lika të ketë nisur me datë 10 shtator 2013, pas një denoncimi të bërë në Policinë e Durrësit nga shtetasi S. U., nga Rahoveci i Kosovës dhe me banim në Zvicër. Në denoncim ai ka sqaruar se më 8 shtator 2013, në terminalin e Portit Durrës ishte arrestuar nga policia familjari i tij, shtetasi B. U., pasi ishte kapur me disa dokumente zvicerane të falsifikuara

Dy ditë pas vrasjes së Lamajt

Vetëm pak minuta pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, informacioni i parë dhe me i saktë që del nga vendi i ngjarjes ishin targat dhe lloji i mjetit nga doli breshëria e plumbave që i mori jetën ish-shefit të Komisariatit Nr 6. Pas më pak se 1 orë nga vrasja, nga Durrësi u bë denoncimi denoncimit nga i zoti i makinës, i cili i tha policisë se ai mjet me ato targa ishte BMW-ja që i ishte grabitur. Mjeti nuk u zbulua për rreth 24 orë. Ndërkohë që i dyshuari kryesor për vrasjen e Lamajt, Arben Frroku vazhdon të qëndrojë i arrestuar në Greqi, policia e Durrësit ka hetuar për zbulimin e autorëve të grabitjes së makinës së atentatit. Sipas të dhënave që janë bërë publike, ekspertët mundën të zbulojnë pamje filmike të momentit kur është grabitur mjeti. Hetimet e çuan policinë në Nikël dhe nga Nikla në Larushk. Aty u arrestua Gentian Bejtja, i cili sipas policisë dyshohet se me automjetin e tij ka dërguar deri te BMW-ja e vrasjes, Frrokun. Ai u vu në pranga dhe rreth tre muaj më pas u arrestua edhe komshiu i tij Stafuka, nën të njëjtën akuzë. /shekulli/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›