E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Berat 35-vjeçari, ishte në kërkim për tentativën e vrasjes së “Gucci”-t të TikTok-ut

Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, është arrestuar në Berat.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, lokalizuan në një lokal në qytetin e Beratit shtetasin Bledar Çuni, 35 vjeç, banues në Durrës.

Ndaj tij, Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

35-vjeçari dyshohet se më 15 dhjetor 2025, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit Fabion Kuçi, i cili ndodhej në një lokal në lagjen nr. 9 në Durrës. Nga ana tjetër Kuçi është një emër i njohur për policinë, por jo vetëm. Pasi njihet gjerësisht si “Gucci” i Tik Tok-ut.

Si pasojë e të shtënave, 33-vjeçari ka marrë dëmtime të lehta. Pas arrestimit, Çuni iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për vijimin e procedurave të mëtejshme.

NJOFTIMI I POLICISË
Kapet në Berat një shtetas i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë.

Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, pas administrimit të informacioneve për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një lokal në qytetin e Beratit dhe kapjen e shtetasit:

B. Ç., 35 vjeç, banues në Durrës.

Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Ky shtetas dyshohet se, më datë 15.12.2025, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit F. K., i cili ndodhej në një lokal në lagjen nr. 9, Durrës. Si pasojë, shtetasi F. K. është dëmtuar lehtë.

35-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të DVP Durrës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›