E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Rinas 32-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, akuzohet për trafik droge në Kosovë

Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës është kapur në Rinas me qëllim ekstradimin. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Interpol Tiranën.

Shtetasi Arnold. Sh., banues në Kukës, kërkohej nga autoritetet kosovare pasi Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhër-arresti ndaj tij për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.

Gjatë ndalimit, 32-vjeçari është prezantuar me një identitet tjetër, në përpjekje për të shmangur identifikimin dhe arrestimin nga Policia.

Kapja e tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, që vijon nga strukturat e Policisë së Tiranës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas Policisë, shërbimet e “Shqiponjave” e lokalizuan shtetasin pas informacionit të marrë në rrugë operative dhe shkëmbimit të të dhënave me Interpol Tiranën.

Tashmë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, do të ndjekë procedurat ligjore për ekstradimin e 32-vjeçarit drejt Kosovës, ku do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›