Kapet shpërndarësi i drogës, përplas 2 mjete të policisë
DURRËS- Një 37-vjeçar është ndalur nga policia, pasi akuzohet si shpërndarës droge. Lajmi njoftohet nga policia e Durrësit, sipas të cilës në pranga është vënë shtetasi Altin Deliallisi nga qyteti i Shijakut. Ndalimi i tij është bërë në një nga rrugët kryesore të qytetit, teksa ai ishte duke udhëtuar me një automjet me targa të Durrësit. Policia i ka bërë thirrje të ndalojë, por ai ka shtuar shpejtësinë. Uniformat
blu kanë qëlluar me armë në ajër për ta detyruar të ndalojë, por në tentativë e sipër t'u larguar është përplasur me dy automjete të policisë.
Pas kësaj policia ka mundur ta vërë në pranga, por nuk ka bërë me dije sasinë e drogës së kapur. Mësohet se pas kontrollit të automjetit do të vijojë një tjetër kontroll në banesën e të ndaluarit.