E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapitalizëm i ushqyer nga aparati shtetëror

Prof. dr. Fatmir Shehu 

-Është fakt se në luftën për pushtet dy forcat më të mëdha politike të vendit e kanë akuzuar rëndshëm njëra-tjetrën për korrupsion . Dhe nëpërmjet kësaj akuze kanë arritur që të marrin votat  e nevojshme për të krijuar mazhorancën qeverisëse. Qeveria aktuale  premtoi duar të pastra në menaxhimin e pushtetit që mëtonte ta merrte dhe mori. E njëjta akuzë po përdoret edhe në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 23 Qershorit të këtij viti, ku  opozita po e akuzon rëndshëm  për korrupsion  mazhorancën qeverisëse, me gjithë se pa ndonjë akt juridik konkret. Për të elaboruar më mirë  fenomenin e korrupsionit  duhen parë  raportet e shtetit  me vetë sistemin kapitalist që kemi krijuar këto dy dekadat e fundit. Që këndej mund të dalim në një konkluzion se:  a është i interesuar shteti  apo forca fituese për të Qeverisur vendin  dhe për kryerjen e reformave të mirëfillta demokratike dhe sidomos për  luftën ndaj korrupsionit? A është e interesuar mazhoranca fituese që të ndërmarrë aksione konkrete ndaj fenomenit te korrupsionit? E pamë mazhorancën aktuale që përdori kushedi sesa akuza ndaj mazhorancës dhe liderit të saj paraardhës në lidhje me korrupsionin. Kur e mori pushtetin...“u mbars mali dhe polli një mi”. Atëherë del pyetja : a është real apo demagogjik fenomeni i korrupsionit? Dhe po të jetë real, atëherë mazhoranca aktuale pse nuk mori as një masë për ta evidentuar dhe dënuar ligjërisht në mënyrë që të krijonte një traditë konkrete juridike ndaj këtij fenomeni të rrezikshëm? Kujtojmë se kur erdhën në pushtet komunistët përdorën ndaj tregtarëve një tatim mbi të ashtuquajturin “fitimet e luftës” .  E thanë dhe e bënë. Atëherë pse nuk janë analizuar dhe marrë masa ligjore ndaj veprimeve  ekonomiko-financiare të gabuara dhe me përmbajtje korruptive  që janë bërë në privatizimin e pasurisë publike të çdo forme, qoftë si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta? Ku janë rezultatet juridike të akuzave të ndërsjella për korrupsion që janë bërë nga të dy anët e politikës, të vërtetuara këto me akte ligjore në përputhje me ligjet e shtetit demokratik?!  Siç e kemi përjetuar ekonominë kapitaliste në Shqipëri, mund të themi se ajo u zhvillua nëpërmjet bashkërendimit  pa shumë kontradikta dhe konflikte interesi  të burokracisë së aparatit shtetëror dhe ekonomisë së tregut dhe jo si sipërmarrje të vogla dhe në konflikt me shtetin, siç është  zhvilluar ky sistem në shtetet e mirëfillta kapitaliste si në Angli, Francë , Itali , Gjermani etj. Kësisoj kapitalizmi jonë u ushqye dhe u zhvillua nga aparati  shtetëror duke rrëmbyer një pasuri  relativisht të madhe të trashëguar dhe në këtë proces ai arriti që këtë aparat shtetëror, pra shtetin,  ta korruptojë, ta karthosë, ta degjenerojë, ta blejë, ta kalbë. Nuk kam të dhëna konkrete, por mendoj në mënyrë intuitive, duke njohur realitetin që na rrethon, se në më të shumtën (në mazhorancë)  kapitalistët tanë aktualë janë ata, që në një formë apo në një tjetër, kanë pasur dhe kanë  lidhje me shtetin . Po të hulumtohen pasuritë e disponueshme, ato kryesisht janë në duart e personave që kanë pasur poste në menaxhimin e  pasurive  publike si dhe poste të larta  në administratën shtetërore dhe në politikë . Janë në duart e atyre që kanë mundur që me mënyra të ndryshme të përfitojnë nga ajo pasuri që populli punoi me shumë sakrifica për rreth katër dekada dhe që e krijoi nën sistemin socialist, i cili mendonte më shumë për brezat që do vinin se sa për vet  brezin që i krijoi të mirat materiale. Nga një studim në shkallë shtetërore që është bërë në Kinë në vitin 2000 ka rezultuar se  20% e pronarëve të kompanive private  kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Dhe kjo shifër në vitin 2003 u rrit në 34%. Edhe këtu në Shqipëri favoret pasurore të formave të ndryshme i kanë gëzuar  militantët e partive të ndryshme në pushtet si dhe pushtetarët e rangjeve të ndryshme . Ky është një fakt që pavarësisht se deri më sot nuk e dimë që të jetë i kuotuar – është i prekshëm në realitetin e kohës. 

Shpesh , në bisedat e përditshme thuhet se korrupsioni është  lubrifikant i sistemit të ingranazheve të makinës ekonomike kapitaliste. Një thënie e tillë mund të ketë edhe kuptim, por kur ndodh që “shpërblimi “  korruptiv bëhet nga pjesa e të interesuarve privat për të zgjidhur një problem të caktuar për të cilin kanë interesa të dy palët private dhe jo në kurriz të interesave shtetërore apo publike. Korrupsioni vlerësohet nga kavalieri Berluskoni si një operacion i nevojshëm  në rastet kur bëhen kontrata. Por korrupsioni në drejtësi, në mjekësi, në arsim, në trajtimin e pasurisë publike është një plagë që e kalb shoqërinë. Kjo do pasur parasysh nga mazhoranca qeverisëse që do të marrë pushtetin nga zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit 2013. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›