Kapllani: Jam gati për golin

Edmond Kapllani ka shënuar për herë të fundit me Kombëtaren, pikërisht në një ndeshje miqësore, para dy vitesh. Atë kundër Lihtenshtejnit modest, në fitoren 2-0 të Shqipërisë, më 20 gusht të vitit 2008, kur kuqezinjtë drejtoheshin nga holandezi Ari Han, ndërkohë që po në atë takim një tjetër futbollist shqiptar që luan në Gjermani, Jahmir Hyka, shënoi golin më të shpejtë në historinë e Kombëtares, pas vetëm 46 sekondash lojë, pikërisht pas një asisti të Kapllanit.
Atëherë ishte ndeshja e fundit përgatitore përpara se Shqipëria të barazonte 0-0 me Suedinë në kualifikueset e Botërorit 2010 e që u kushtoi nordikëve të Zlatan Ibrahimoviçit kualifikimin për në Afrikën e Jugut. Edhe kundër Uzbekistanit, një skuadre që nuk garon në Europë, por në konfederatën aziatike, për Shqipërinë do të jetë ndeshja e fundit përgatitore përpara se kuqezinjtë të nisin aventurën në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012 me takimin kundër Rumanisë në Bukuresht.
Kapllani pranoi për mediat se ishte stërvitur shumë dhe se kishte rigjetur formën pas një fazë të dytë shumë të mirë te Tus Koblenz, si i huazuar nga skuadra e tij aktuale Augsburgu.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe për trajnerin që të konsolidojë skuadrën, se kush do jetë në 11 apo 14-tshe për kualifikimet që do të vijnë”- tha Kapllani, autori i golit të vetëm të Shqipërisë në humbjen 6-1 kundër Rumanisë, pikërisht ndaj kundërshtarit të parë të kuqezinjve në eliminatoret e Euro 2012-s.
Sulmuesi Edmond Kapllani, i cili me 5 golat në eliminatoret e Europianeve, është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në këtë kompeticion, po kalon një formë të shkëlqyer në gjatë përgatitoreve me skuadrën e tij në Gjermani, me Augsburgun e Bundesligës 2.
28-vjeçari është i formuar si futbollist në Durrës, pikërisht në stadiumin “Niko Dovana”, aty dhe ku Shqipëria do të luajë për herë të parë në nivel të Kombëtares A, pas disa eksperiencave të Shpresave. Gjithsesi, Kapllani nuk është i vetmi lojtar durrsak që do të luajë para sportdashësve të qytetit të tij, pasi trajneri Josip Kuzhe ka thirrur edhe mesfushorin Emiljano Vila, një tjetër talent i dalë nga Teuta.
Kapllani është një nga tre sulmuesit që ka në dispozicion trajneri Kuzhe, së bashku edhe me veteranin Erjon Bogdani, të porsa transferuar te Cezena e Serisë dhe Hamdi Salihin e Rapidit të Vjenës, ky i fundit është dhe autori i golave të vetëm në fitoret 1-0 si kundër Malit të Zi në Podgoricë dhe Andorrës në Tiranë, në miqësoren e fundit të Shqipërisë.
GOLAT E KAPLLANIT ME KOMBËTAREN
NË NDESHJET ZYRTARE
Shqipëri-Luksemburg 2-0
Luksemburg-Shqipëri 0-3
Luksemburg-Shqipëri 0-3
Shqipëri-Bjellorusi 2-4
Rumani-Shqipëri 6-1
NË NDESHJET MIQËSORE
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Hene, 09 Gusht 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili