E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Autostrada Tiranë-Durrës do të jetë pa pagesë

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Autostrada Tiranë-Durrës do të vijojë të mbetet pa pagesë për përdoruesit, ndërsa në këtë aks po vijojnë ndërhyrjet infrastrukturore për të lehtësuar trafikun dhe përmirësuar qarkullimin.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi sot, gjatë një konference për mediet, se aktualisht nuk parashikohet vendosja e pagesës për këtë segment rrugor.

“Për sa kohë që financimi i punimeve po bëhet nga buxheti i shtetit, patjetër do të vazhdojë të jetë pa pagesë”, u shpreh ministri.

Ai bëri të ditur gjithashtu se po vijojnë punimet për përmirësimin e qarkullimit në aksin Tiranë-Durrës, me fokus te zona e Rinasit, ku është identifikuar një pikë ngushtimi e trafikut.

Sipas tij, pjesë e ndërhyrjes është shembja e mbikalimit ekzistues në Rinas dhe ndërtimi i një të riu me katër korsi, si dhe vazhdimi edhe me rreth 2 kilometra të tjerë i korsive shtesë në vijim të segmentit.

“Po vijojnë punimet pas mbikalimit të Rinasit. Pjesë e kontratës është shembja e mbikalimit të Rinasit, krijimi i një mbikalimi të ri me 4 korsi dhe vazhdimi me 2 km të tjerë i korsive shtesë që janë duke u punuar”, tha Karakaçi, duke shtuar se këto ndërhyrje synojnë lehtësimin e trafikut në këtë aks.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›