E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rregullorja e re e Kuvendit, nuk ka pakt me PS

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se nuk ka asnjë “pakt” me Partinë Socialiste, për sa i përket Rregullores së Kuvendit.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike paditi në Gjykatën Kushtetuese Rregulloren e re të parlamentit, duke sqaruar se vendimi i Gjykatës nuk lidhet me përmbajtjen, por me procedurën e miratimit, pasi Rregullorja u miratua pa u konsultuar opozitën.

“Partia Demokratike paditi në Gjykatë Kushtetuese Rregulloren e re të parlamentit. Gjykata Kushtetuese rrëzoi Rregulloren, jo për brendinë, por për procedurën me të cilën ajo u miratua, pa u konsultuar fare me opozitën. Gjykata Kushtetuese përcaktoi një afat 30-ditor, pas të cilit parlamenti duhet të votonte Rregulloren në përputhje me vendimin e saj”, tha ai.

Ai theksoi se nenet e Rregullores janë të njohura dhe të votuara më parë, duke shpjeguar se “90-95% e tyre janë votuar dhjetëra herë nga të gjithë ata që kanë qenë ulur në parlament që nga vitet 2002”.

Berisha shtoi se në përpjekje për të rritur funksionalitetin dhe interesin e qytetarëve, PD ka shtuar disa amendamente, duke mos pranuar asnjë amendament që mund të cenonte interesat e qytetarëve.

“Atëherë, ne për të rritur funksionalitetin në interesin e qytetarëve, shtuam disa amendamente dhe nuk pranuam asnjë amendament që cenonte interesat e qytetarëve. Në qoftë se kush mendon se parlamenti duhet të rrinte pa rregullore, kjo s’mund të ndodhë.

“Në qoftë se ndokush sugjeron që të rivotohej nga shumica rregullorja ekzistuese, atëherë duhet të ketë parasysh se ne bëmë një padi kundër kësaj rregulloreje në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi seriozë. Ne nuk bëmë padi për padi, bëjmë padi për interesat të qytetarëve. Nuk është shtuar asnjë germë për interesat e një deputeti apo grupi deputetësh. Jo, të qytetarëve”, tha ai.

Sa i përket zhvillimeve brenda Partisë Demokratike, Berisha theksoi se “një nga motot e kuvendit të PD është ripërtëritja e partisë”.

“Dhe ju siguroj se ripërtëritja e saj, organizimi dhe modernizimi do të jenë drejtimet më themelore të punës së Partisë Demokratike. Detyrat më kryesore që ky Kuvend do të shtrojë për të gjithë Partinë Demokratike, kemi marrë ekspertizat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim”, tha ai.

I pyetur në lidhje me numrin e anëtarësisë së thirrur për referendumin që do të zhvillohet nesër për votimin e kryetarit të PD-së, Berisha tha se “uron që të votojë çdo anëtar dhe anëtare e PD-së”.

“Procesi i zgjedhjes me një anëtar – një votë, apo i votëbesimit me një anëtar – një votë, është forma më epërore, e cila për hir të së vërtetës, në 70-75% të rasteve që përdoret, është me një kandidat”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›