E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi në forumin për transportin në Kinë: Shqipëria, nyje strategjike e dy korridoreve europiane


TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi mori pjesë në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, një nga eventet më të mëdha botërore për transportin, që zhvilloi punimet në Kinë.

Në fjalën e mbajtur në këtë forum, Karakaçi shprehu rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror global për sa i përket transportit.

Ministri theksoi se Shqipëria është vend i vogël, por nyje strategjike në dy korridore evropianë, Korridori VIII dhe Korridori Adriatiko-Jonian.

Për sa i përket Korridorit VIII, Karakaçi bëri të ditur se tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit.

Ndërkohë sipas tij, vazhdon puna me ritëm për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë.

“Edhe segmentet e para të bajpasit të Elbasanit tashmë janë kontraktuar dhe filluar nga puna”, shtoi ai.

Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, Karakaçi informoi se “jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit”.

“Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027. Për sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit më sfidues, Murriqan-Balldren, që po përgatitet me fonde grant nga Bashkimi Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027 në ministri”, u shpreh Karakaçi.

Ndërkohë, ministri informoi se vazhdon puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar.

“Kam konstatuar së fundmi shumë paqartësi për këtë projekt. Për të pasur transparencë të plotë mbi këtë projekt shumë të rëndësishëm, të gjitha dokumentet e këtij projekti do të jenë të hapura në platformën e BESËS, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo që ka interes të bëjë verifikimet e veta”, shtoi ai.

Karakaçi informoi se ditën e sotme do të ketë takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, nisje e një marrëdhënie bashkëpunimi studimore në fushën e ujësjellës kanalizimeve me këtë qendër ekselence në botë.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›