E Enjte, 5 Nëntor 2026

Karçanaj: Rekord, mbi 20 mijë fermerë aplikuan në e-Albania për naftën pa taksa

“Në vetëm 75 ditë që nga data e çeljes së aplikimeve e deri në mbylljen e tyre, si asnjëherë tjetër 20 mijë e 561 fermerë, aplikuan për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse për karburantin”, shprehet drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Linda Karçanaj.

Skema Kombëtare Mbështetëse me Karburant u shtri në të gjithë vendin, në datat 15 janar-31 mars.

Për herë të parë, fermerët patën mundësi të aplikonin online nga kompjuteri i shtëpisë apo smartfoni i tyre deri në fshatin më të largët të Shqipërisë, pa asnjë burokraci, duke u dhënë një mundësi të gjithëve, të bëheshin pjesë e një prej skemave, që mbështesin direkt bujqësinë.

Në platformën e-Albania kanë nisur gjithashtu aplikimet për një skemë që ka përsëri në fokus fermerët.

Skema Kombëtare të Mbështetjes për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural u jep mundësi të gjithë fermerëve të aplikojnë online në e-Albania për të përfituar direkt nga mbështetja financiare e Qeverisë Shqiptare. Aplikimet nisën në datën 24 mars dhe përfundojnë më 15 prill, si një hapësirë e re që falë teknologjisë do të jetë gjithëpërfshirëse, duke rritur prodhimin vendas dhe formalizuar tregun.

Për çdo fermer që punon tokën, llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqe dhe kulturat e deklaruara në bazë të një normative të miratuar për punime tipike me mekanizim.

Për atë sasi nafte llogaritet vlera e barrës fiskale, e cila përjashtohet. Kjo vlerë e përjashtuar konvertohet karburant, në sasinë e përcaktuar në bazë të kritereve, përmes një karte të veçantë për çdo fermer.

Çdo fermer që ka tokë në pronësi apo me qira dhe që e punon atë është përfitues potencial i kësaj skeme, duke u siguruar që të ketë NIPT-in e fermerit. Skema është e thjeshtë, pa asnjë vështirësi dhe ngarkesë.

Mbështetja që qeveria ka ofruar përmes skemave të AZHBR-së për fermerët në sektorin e bujqësisë ka rezultuar e suksesshme për shumë fermerë, sipërmarrjet e të cilëve, sot janë me emër në tregun vendas dhe të huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›