Rriten importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit nga Italia e Kina

Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 4 % gjatë muajit shkurt, duke arritur në 12,4 miliardë lekë nga 10,4 miliardë lekë që ishin në shkurt të 2020-s.
Ndërkohë përgjatë gjithë vitit 2020 importet e këtij grupi llogariten 133,8 miliardë lekë.
Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.
Referuar të dhënave të INSTAT-it, gjatë vitit 2020, Italia, Kina dhe Turqia ishin partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie. Gjithsej nga Italia u importuan 5,1 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Nga Kina u importuan 4,2 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 1,45 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Fluksi hyrës i IHD-ve në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Pavarësisht situatës së krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19, sërish Shqipëria paraqet interes për investitorët e huaj.
Investimet e huaja direkte gjatë vitit 2020 ishin 933 milionë euro, sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Fokusi për zhvillimin e ekonomisë shqiptare do të mbetet tërheqja e investimeve te huaja direkte me prioritet në sektorët ku ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar si në aspektin e burimeve natyrore, ashtu dhe në zhvillimin e sektorëve që ende nuk janë duke performuar me potencialin e tyre të plotë. Të tillë sektorë janë sektori i energjisë së rinovueshme, sektori i turizmit, sektori i agrobiznesit, sektori i infrastrukturës dhe ai i shërbimeve.