E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardinali problemati

Në kulmin e skandaleve të njëpasnjëshme të Kishës Katolike, një kardinal gjerman ka gjetur kohë të flasë për Kosovën. Kësaj radhe, ai përcolli një lajm të keq. Tha se për hatër të Serbisë, Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Ne e dimë që Kosova për Kishën serbe është një plagë e rëndë dhe e dimë që ajo është gjithashtu djep i ortodoksizmit serb. Ne e kuptojmë këtë gjë dhe duam ta respektojmë”, ka thënë kardinali i Kishës Katolike Romane, Walter Kasper.

Por, Kisha Katolike në Kosovë nuk iu beson fjalëve të kardinalit Kasper.

Zyrtarë të Kishës Katolike të Kosovës dyshojnë se deklarata e tij mund të jetë keqinterpretuar. Me sa dimë, Vatikani gjithmonë ka ndihmuar Kosovën dhe shumë shpejt pritet ta njohë edhe pavarësinë e saj.

Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kishës Katolike në Kosovë, thotë se njëherë duhet pritur nëse ato janë vërtet fjalët e kancelarit Kasper. Sipas tij, me këtë çështje është duke u marrë edhe Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji.

“Shkëlqesia Dodë Gjergji është interesuar personalisht ta ketë atë dokument në duar. Unë mund të them se Vatikani është duke i dhënë një përkrahje të madhe Kosovës. Edhe rreth njohjes, mendoj se Vatikani me kohë do ta njohë Kosovën”, shton ai.

Një mendim të ngjashëm e ka edhe Qeveria e Kosovës. Vlora Çitaku, zëvendësministre e Punëve të Jashtme, thotë për Express se Vatikani ka qenë gjithmonë në mbështetje të paqes në Kosovë.

“Vatikani në komunikim me ne ka shprehur konsideratë për të arriturat në Kosovë, po ashtu nëse shqyrtohet në kontekstin historik, Vatikani ka qenë në mbështetje të paqes. Mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të drejtpërdrejtë për njohje”, vlerëson Çitaku.

Ajo nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e kardinalit gjerman. Sipas saj, gjatë takimeve diplomatike, Selia e Shenjtë ka dhënë mesazhe mbështetëse për Kosovën.
Një qëndrim më të ashpër ndaj deklaratave të kardinalit gjerman ka Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Ai sugjeron kardinalin Kasper të mos brengoset fort për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë. “Ajo është mbi shtetin e Kosovës, të cilin, jo që nuk e pranon, por punon kundër tij! Kardinali Kasper dhe zyrtarët e tjerë të Vatikanit duhet të merren me punë të tjera, jopolitike, sepse interesi i tyre strategjik është ta frenojnë dhe ta mbajnë nën kontroll agresivitetin seksual të vartësve të tyre”, thotë Shala, në një reagim të tij.

Sipas Shalës, edhe kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, shpeshherë është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. “Askush nuk e pati kundërshtuar këtë diversion politik të këtij “njeriu” të Zotit, i cili e ka një mision krejt tjetër, e jo të rreshtohet politikisht pas një politike që ka qenë përgjegjëse për qindra mijëra civilë të ekzekutuar, përndjekje biblike të civilëve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocid në hapësirat e ish-Jugosllavisë”, thekson Shala. Kardinali i Kishës Katolike Romane dhe anëtar i Këshillit Papnor, gjermani Walter Kasper ka thënë se Vatikani nuk e ka njohur Kosovën si shtet për shkak të ndjeshmërisë ndaj Kishës Ortodokse të Serbisë.

Siç ka raportuar gazeta serbe “Blic”, duke iu referuar intervistës në agjencinë katolike “Katpress”, kardinali Kasper ka thënë se Kosova është “plagë e rëndë dhe dhembje” për Kishën serbe, ndërkaq nuk ka hezituar ta quajë edhe “djep dhe qendër” të sllavizmit serb.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›