E Diel, 1 Nëntor 2026

Kardiologjia në Shkodër, mjeku Smajli: Trajtojmë deri në 8 raste në ditë, kryhen procedura të komplikuara

Shërbimi i Hemodinamikës në Spitalin Rajonal të Shkodrës vijon të konfirmohet si një nga strukturat më të rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare në veri të vendit. Mjeku kardiolog Edi Smajli tregon se çdo ditë kryhen mesatarisht 6-7 ndërhyrje.

“Ky shërbim tashmë është i konsoliduar. Kryhen procedura nga më të komplikuarat dhe me një numër rastesh të konsiderueshme që një mesatare mund të shkojë 6-7 dhe 8 raste në ditë”, deklaroi mjeku kardiolog Edi Smajlaj.

Vetëm në 24 orët e shkuara 3 pacientë me infark të miokardit u trajtuan me sukses.

“Kam pasur një operacion shumë të vështirë, kam ardhur në gjendje kritike për jetën. Kardiologjia ka bërë një ndërhyrje që ja di për gjithë jetën”, deklaroi një prej pacientëve.

Ofrimi i kësaj procedure në nivel rajonal ka shmangur transferimet drejt Tiranës. Gjatë vitit 2025 nga ekipi I mjekëve janë realizuar 747 procedura koronare. Ndërkohë, vetëm në javët e para të vitit 2026 janë kryer 128 ndërhyrje.

Krahas ndërhyrjeve të përditshme ekipi i mjekëve ka përballuar edhe raste të vështira ku për herë të parë ne vendin tonë u realizua edhe stentimi i arteries mesenterica superior, një ndërhyrje komplekse për trajtimin e ishemisë kronike të mezenterit, një sëmundje me mortalitet shumë të lartë. Ndërhyrja u realizua me metodë endovaskulare, falë bashkëpunimit të ngushtë mes kirurgëve vaskularë dhe hemodinamistëve, duke shpëtuar jetën e një pacienti 43-vjeçar.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›