Karnavalet e Shkodrës, paradë unike e karrove dhe dritave

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Një tjetër natë magjike u zhvillua mbrëmë në Shkodër në sheshin festiv për karnavalet.
Mes spektaklit dhe muzikës që dhuruan këngëtarët Marsela Çibukaj dhe Sidrit Bejleri, festa vijon sërish sot, në ditën e fundit të karnavaleve. Në orën 11:00 nis parada e karnavaleve në qendër të qytetit, që do të kulmojë me djegien e dordolecit, simbolit të së keqes.
Atmosfera festive e karnavaleve ka nisur më 17 shkurt me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit.
Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike i shoqëruan banorët e Shkodrës, por edhe turistët e ardhur nga qytetet e tjera apo edhe nga jashtë, përgjatë shtatë ditëve (17-23 shkurt), duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash.
“Si asnjëherë tjetër, shkodranët dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria shijuan pasditen e së shtunës paradën unike të karrove dhe dritave, e cila vjen për herë të parë në këtë karnaval. Shkodra përcjell ngjyra feste dhe atmosferë si askund tjetër”, shprehet kryebashkiaku Benet Beci.
1 nga 10